Kosova dhe Malta zotohen për thellim të bashkëpunimit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar të premten një takim virtual me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropës të Maltës, Evarist Bartolo.
Haradinaj-Stublla dhe Bartolo kanë diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale, zhvillimet rajonale dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Shefja e diplomacisë kosovare ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Maltës ndaj Kosovës dhe për rolin e saj pozitiv të treguar përgjatë viteve.
Në këtë video-takim është vlerësuar bashkëpunimi i deritanishëm midis dy shteteve, ndërsa është nënvizuar nevoja për rritje të bashkëpunimit ekonomik.
“Malta mund të mbështesë Republikën e Kosovës në zhvillimin e e-qeverisjes dhe sistemeve të administrimit elektronik për të cilat është pararojë në Evropë”, ka thënë Haradinaj-Stublla, duke shprehur gatishmërinë e Kosovës për të thelluar më tej bashkëpunimin me vendin ishullor, anëtar të Bashkimit Evropian.