Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në Prishtinë

18 nëntor 2024 | 14:35

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi gjatë një takimi të përbashkët të qeverive të dy vendeve fqinje të hënën në Prishtinë.

Ministrat e dy vendeve kanë nënshkruar marrëveshje në fushën e energjisë dhe atë të arsimit, si dhe një protokoll për lehtësimin e lëvizjes së lirë. Ato do të zbatohen nga janari 2025, sipas kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

Duke folur gjatë takimit të dytë ndërqeveritar mes vendeve të tyre, Kurti dhe homologu i tij maqedonas, Hristijan Mickoski, lartësuan bashkëpunimin dhe marrëdhëniet mes dy vendeve të tyre duke e cilësuar si “familjar”.

Kurti ka thënë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut i kanë nënshkruar 50 marrëveshje deri më tani, por “ajo që duhet të bërë tash është zbatimi i marrëveshjeve”.

“Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona pasqyrohen edhe në rritjen e vazhdueshme të tregtisë, e cila arriti në 432 milionë euro në vitin 2023, një rritje e jashtëzakonshme prej 52 për qind, krahasuar me vitin 2019, ku qëndronte 284 milionë euro”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se ka pasur rritje të eksportit nga Kosova në Maqedoninë e Veriut, nga 48 milionë në vitin 2019, në 121 milionë në vitin 2023.

“Në Maqedoninë e Veriut e shohim një vend mik, me të cilin jemi të lidhur jo vetëm përmes gjeografisë por edhe nga vlerat e përbashkëta dhe nga njerëzit tanë. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet t’i shohim si vlera e shtuar, si ura të bashkëpunimit më të ngushtë dhe më të fuqishëm mes vendeve tona”, ka thënë ai.

Pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është edhe koalicioni shqiptar VLEN, i cili përbëhet nga partitë Alternativa, Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët.

Shqiptarët përbëjnë rreth 29.5 për qind të popullsisë prej 1.8 milion të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, ka thënë se kanë treg të përbashkët prej 17-18 milionë euro, dhe shtoi se u pajtua me Kurtin gjatë një takimi dypalësh që ky bashkëpunim tregtar të rritet në rreth 500 milionë euro. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka…