Kosova dhe Maqedonia e Veriut nënshkruajnë memorandum për furnizim me energji
Këtë të premte është nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi në mes të dy prodhuesve të energjisë elektrike në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Bashkëpunimi ndërmjet Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe ShA ESM (Centralet Elektrike të Maqedonisë së Veriut – EMV) do të jetë në formën e shkëmbimit të njohurive dhe përvojës në lidhje me diversifikimin e teknologjive për prodhim.
“Palët synojnë të fokusohen në shqyrtimin e të gjitha opsioneve të disponueshme për shkëmbimin e qymyrit me energjinë elektrike, bashkëpunimin profesional, sigurimin e shkëmbimit sa më efikas të energjisë dhe burimeve në lidhje me prodhimin e energjisë elektrike përmes optimizimit të prodhimit, përgatitjes së planeve të përbashkëta për tejkalimin e situatave të jashtëzakonshme energjetike dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët”, njofton Korporata Energjetike e Kosovës.
Tutje thuhet se e gjithë kjo është bërë me qëllim të sigurimit të furnizimit të pandërprerë me energji elektrike në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Kriza energjetike ndikoi në të dy vendet duke qenë se janë të varura nga importi i energjisë elektrike dhe për të siguruar prodhim të qëndrueshëm të energjisë elektrike dhe termike gjatë krizës, u bënë përpjekje shtesë për funksionimin efikas dhe të pandërprerë të njësive prodhuese. Prandaj, ky memorandum do të ndikoj pozitivisht në uljen e varësisë nga importi i energjisë elektrike për të dyja vendet’, thuhet në njoftim.
“Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut janë vende fqinje që kanë marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunojnë në një sërë fushash. Duke qenë se kanë sisteme të ndërlidhura energjetike, të dy vendet do të përfitonin nga një bashkëpunim më i gjerë, veçanërisht nëse merret parasysh se përdorin teknologji të ndryshme për prodhim”, thuhe tutje në njoftim.
Ministria e Ekonomisë së Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut, më 16 shtator 2021, nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për sektorin energjetik, dhe me këtë Memorandum mirëkuptimi ndërmjet ShA ESM (CEMV) dhe KEK-ut, do të krijohet një bazë shtesë për bashkëpunim afatgjatë me qëllim të përmirësimit të sigurisë energjetike dhe sigurimit të furnizimit të qëndrueshëm me energji.