Kosova dhe Maqedonia mbeten të përkushtuara në synimet e përbashkëta euroatlantike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski me bashkëpunëtorë.
Raportet e mira ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe avancimi i mëtejmë i tyre dhe fqinjësisë së mirë, ishin tema qendrore e takimit.
“Ekziston vullnet i qartë politik nga ana e Republikës së Kosovës për të rritur koordinimin ndërinstitucional dhe për të thelluar më tej raportet tona dypalëshe”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ai ka theksuar interesimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të koordinuar politikat në fushën e sigurisë, atë të mbrojtjes dhe politikën e jashtme në linjë me orientimin euroatlantik dhe në linjë me raportet e shkëlqyeshme tregtare.
Presidenti Pendarovski e ka përgëzuar kryeministrin Kurti për reformat e filluara dhe progresin demokratik të Kosovës.
Ai u shpreh i brengosur për rritjen e tendencave autoritare në vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe për qasjen e Bashkimit Evropian ndaj zgjerimit.
“BE-ja do të duhej të shpërblente reformat demokratike”, ka theksuar presidenti Pendarovski.
Kryeministri Kurti ka ngritur shqetësimin për militarizimin e Serbisë, që siç tha ai, paraqet kërcënim për rajonin dhe paqen e stabilitetin në Ballkan.
Në këtë takim u theksua se të dy vendet mbeten të përkushtuara në synimet e përbashkëta euroatlantike dhe në parandalimin e ndikimit të akterëve të jashtëm destabilizues për rajonin, në radhë të parë nga ndikimi malinj i Federatës Ruse në Ballkanin Perëndimor dhe gjetiu në kontinentin evropian dhe ndikimi ekonomik dhe tregtar i Republikës Popullore të Kinës, i cili ka për qëllim krijimin e varësisë financiare e përmes saj ndikimin në vendimmarrjen politike në shtetet e Ballkanit Perëndimor.
U bisedua për rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinim të dy shteteve me ShBA-në, BE-në dhe aleatët e tjerë për të pamundësuar një ndikim të tillë.
Raportet ndërshtetërore janë avancuar dukshëm, gjë që e dëshmon edhe mbledhja e dy qeverive, e mbajtur më 16 shtator në Shkup, ku u nënshkruan 11 marrëveshje të reja duke çuar në 50 numrin e marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e ngriti në takim çështjen e “Rastit Kumanova” me ç’rast e shprehu shqetësimin e familjeve dhe kërkoi informata për ecurinë e procesit që tani është në Gjykatën Supreme.