Kosova dhe Maqedonia me marrëveshje për njohjen reciproke të patentëshoferëve
Është nënshkruar marrëveshja për njohjen reciproke të patentëshoferëve ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës (MPB), Ekrem Mustafa, ka deklaruar se arritja e kësaj marrëveshje është mundësi e mirë për të dy shtetet, pasi sipas tij rritet besueshmëria për dokumentacionet përkatëse dhe u ofrohet qytetarëve komoditet më i madh.
“Lidhjet ndërmjet dy shteteve janë të mëdha, ky është një avancim më i mirë”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme nga Maqedonia, Oliver Spasovskiu, ka theksuar se ky është një akt shumë i rëndësishëm, nga i cili dobi më të madhe do të kenë qytetarët e dy shteteve.
“Ky proces ka filluar shumë kohë përpara dhe do të vazhdojë me kapitull të ri. Është një akt ndërkombëtar që dobi më të madhe do të kenë qytetarët e dy shteteve. Gjatë realizimit të kësaj të drejte besojmë që ky hap do të përmirësoj bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve tona”, ka deklaruar Spasovskiu.
/Epoka e re/