Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar nënshkruajnë marrëveshje të partneritetit dhe tregtisë

03 dhjetor 2019 | 12:18

Republika e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka nënshkruar marrëveshje të partneritetit, tregtisë dhe bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar.

Në emër të Republikës së Kosovës marrëveshjen e ka nënshkruar ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ndërsa nga Mbretëria e Bashkuar, ambasadori i këtij shteti në Kosovë Nicholas Abbott.

Shala me këtë rast ka thënë se objektivat e kësaj Marrëveshje janë rritja dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe rritja e standardit të jetesës. “Promovimi dhe zgjerimi i tregtisë dypalëshe përmes zhvillimit të harmonizuar të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, eliminimin e barrierave dhe kufizimeve në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, përmes eliminimit të barrierave në tregti, të kontribuoj në zhvillimin dhe zgjerimin e harmonizuar të tregtisë botërore, sigurimin e kushteve të barabarta të konkurrencës në tregti mes të dyja vendeve dhe bashkëpunimi për mbrojtjen e duhur dhe efikase të të drejtave pronësore intelektuale”, u shpreh ai.

Sipas Shalës, për nga aspekti i vëllimit tregtar, tregtia e Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar nuk ka aq rëndësi përmbajtjesore, sa ka rëndësi strategjike. “Sipas të dhënave statistikore të fundit, Britania e Madhe përfaqëson rreth 3 për qind të eksporteve dhe 0.7 për qind të importeve tona. Megjithatë, rëndësia e ruajtjes së tregjeve të hapura për eksportet tona nuk mund të matet vetëm në aspektin e qarkullimit aktual tregtar, por edhe në atë potencial për rritjen e eksporteve kosovare në të ardhmen e afërt. Shkalla e rritjes së eksporteve tona në Mbretërinë e Bashkuar në të ardhmen varet nga politikat tona dhe nga veprimet e sektorit privat, por duhet ta mbajmë mundësinë të hapur”, ka deklaruar Shala, duke shtuar se përveç aspektit ekonomik, nënshkrimi i kësaj marrëveshje me Mbretërinë e Bashkuar, e cila e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, ka edhe implikime të rëndësishme diplomatike. “Nënshkrimi i marrëveshjes është ri-afirmim i njohjes si shtet dhe si territor doganor i pavarur”, u shpreh ai.

Ndërsa ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë se është shumë u lumtur që kanë nënshkruar këtë marrëveshje dhe është një hap shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. “Kosova është shteti i parë në Ballkanin Perëndimore që po e nënshkruajmë këtë marrëveshje dhe është e rëndësishme për marrëdhëniet politike që do të vazhdojnë në mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar”, ka deklaruar  ambasadori Abbott.

Kjo Marrëveshje do të hyj në fuqi pas datës në të cilën Marrëveshja BE-Kosovë pushon së zbatuari në Mbretërinë e Bashkuar, marrëveshja do të hyj në fuqi pasi Mbretëria e Bashkuar të dal nga BE-ja.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqyri…