
“Kosova dhe Metohija”, reagon Gjykata Speciale: Ishte përdorur pa dashje, Avokati i Popullit u bind se ky gabim nuk përsëritet
Dhomat e Specializuara të Hagës e kanë cilësuar pa dashje përdorimin e shprehjes “Kosova dhe Metohija” nga Prokuroria e Specializuar.
Në një përgjigje për Nacionalen, Gjykata Speciale ka thënë se Avokati i Popullit ka vendosur për këtë rast, dhe ky i fundit kishte konstatuar se fraza u përdor pa dashje dhe gabimisht.
Sipas përgjigjet, Avokati i Popullit ishte bindur se Prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet që një gjë e tillë të mos përsëritet.
“Në raportin e tij, Ombudspersoni ishte i bindur se fraza ishte përdorur pa dashje dhe gabimisht nga PSP-ja gjatë intervistës me ankuesin. Ai pranoi se përdorimi i kësaj fraze ishte padyshim fyes për ankuesin. Për më tepër, Ombudspersoni ishte i bindur nga parashtresat e marra nga Prokurori i Specializuar se ishin marrë masat e duhura nga PSP për të siguruar që një gabim i tillë nuk do të ndodhte në të ardhmen”, thuhet në përgjigje.
Në anën tjetër, Prokuroria e Hagës nuk ka dhënë asnjë sqarim, veç ka kërkuar t’i referohemi vendimit të Avokatit të Popullit.
Më 11 nëntor 2022, Sefer Goxhuli, kishte shkuar për t’u intervistuar nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.
Megjithatë, intervistimi nuk shkoi krejt siç duhet.
Një skandal i paprecedent u zbulua tek së fundmi. Përderisa Goxhuli po intervistohej nga hetuesit e ZPS-së, ai u shtang kur përfaqësuesit e Prokurorisë iu referuan Kosovës si “Kosova dhe Metohija”.
Ky term që përdoret nga Beogradi zyrtar me gjuhë pezhorative për Kosovën, u vu në përdorim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Hagës.
Kjo u vërtetua tek së fundmi me një dokument që duket se ishte tentuar të mbahej sekret.
Goxhuli për këtë ishte ankuar tek Avokati i Popullit në Hagë, dhe aty zbardhen të gjitha detajet.
“Në fillim të intervistës, njëri prej punonjësve, gjatë leximit të një dokumenti, iu referua Republikës së Kosovës me fjalët ‘Kosovo i Metohija’ (‘Kosovë dhe Metohi’ Në ankesë thuhet se përdorimi i këtij termi për t’iu referuar Republikës së Kosovës ishte thellësisht fyes, pasi ky është një term që përdoret nga Serbia kur i referohet Republikës së Kosovës në mënyrë përbuzëse”, thuhet në fillim të ankesës, raporton Nacionale.
“Ai në vijim parashtron se përdorimi i një etiketimi të tillë për të përshkruar Kosovën është i neveritshëm dhe ngre shqetësime për konceptin që ka ZPS-ja për shtetin dhe njerëzit që përfaqëson. Ai pretendon se përdorimi i termit ‘Kosovë dhe Metohi’ nga ZPS-ja bie ndesh me nenin 1 të Kushtetutës së Kosovës. 10. Ankuesi më tej parashtron se ZPS-ja e ushtron veprimtarinë e saj në bazë të legjislacionit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe se objektivi i saj është administrimi i drejtësisë në emër të popullit të Kosovës. Në përfundim të intervistës, ankuesi shprehu shqetësimet e tij për përdorimin e kësaj shprehjeje në dokumentacion dhe pretendon se hasi në mospërfilljen e juristëve të prokurorisë, të cilët dukej se nuk e kuptonin dhe/ose nuk u bëhej vonë për çka kishin thënë”, thuhet në këtë dokument të Avokatit të Popullit.
Madje, në ankesën e Sefer Goxhulit thuhet se ky gabim nuk ishte rastësi, pasi zyrtari ishte duke e lexuar një dokument kur e tha këtë. Pra, ka qenë e shkruar në një letër, që sipas ankuesit, tregon qasjen e Prokurorisë së Hagës.
“Ankuesi gjithashtu pretendon se përdorimi i termit nuk ishte thjesht rezultat i një gabimi gjuhësor nga ana e përfaqësuesit të ZPS-së, dhe vë në dukje faktin se përfaqësuesi në fjalë po e lexonte nga një dokument kur përdori këtë term”, thuhet më tutje.
Përdorimin e kësaj shprehje skandaloze e kishte pranuar edhe Prokuroria e Specializuar në Hagë. Megjithatë, të njëjtit ishin arsyetuar se ka qenë gabim, dhe ajo fjalë nuk është përdorur asnjëherë më parë.
“ZPS-ja gjithashtu konfirmoi se termi “Kosovo i Metohija” (‘Kosovë dhe Metohi’; ‘Kosovo and Metohija’ në anglishte) ishte përdorur në intervistën me ankuesin dhe pranoi se kjo ishte bërë gabimisht. ZPS-ja deklaroi se ky term nuk është pjesë e praktikës standarde të ZPS-së dhe nuk përdoret as në modelet standarde ose pro forma të dokumenteve që përdor ZPS-ja. ZPS-ja hodhi poshtë pretendimin e ankuesit se punonjësit e saj ishin treguar mospërfillës ndaj ankesës së tij, të cilën ai ua kishte shprehur në përfundim të intervistës”, thuhet në ankesë.
Pavarësisht se edhe vetë Prokuroria e Hagës e pranoi se e kanë përdorur këtë term, kjo nuk i mjaftoi Avokatit të Popullit të Speciales që ta pranojë ankesën e Goxhulit. Ankesa u rrëzua me arsyetimin se gabimi ishte i paqëllimshëm.
“Avokati i Popullit pranon se përdorimi i termit ‘Kosovë dhe Metohi’ ishte fyes për ankuesin. Sidoqoftë, Avokati i Popullit mban parasysh se ky term ishte përdorur në mënyrë të paqëllimshme dhe gabimisht, dhe se ZPS-ja ndërmori disa hapa për të përcaktuar se si kishte ndodhur ky gabim, në mënyrë që të parandalohej përsëritja e tij. Gjithashtu, ZPS-ja mori masa për të siguruar që punonjësit e saj të kishin njohuri të plota për kontekstin e këtij termi. Pasi i shqyrtoi edhe një herë dispozitat e Kushtetutës së Kosovës, të instrumenteve përkatëse të të drejtave të njeriut, dhe në veçanti KEDNJ-së dhe KNDCP-së, Avokati i Popullit është bindur se ankesa nuk ka arritur të provojë se objekti i ankesës përfshihet në kuadrin e zbatimit të ndonjë prej të drejtave të përmendura”,thuhet më tutje.
Shumë reagime në Kosovë
Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se Prokuroria e Hagës ka bërë skandal të madh duke përdorur këtë term.
“Faktet janë tashmë të qarta, ka shumë të tilla! Fakti se procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara ishte i manipuluar me “prova” nga shteti serb ka qenë diçka që e kemi thënë në vazhdimësi. Këto fakte po dalin sheshazi gjithnjë e më shumë, në mesin e të cilave dëshmohet me “dokumente” të kësaj gjykate ku i referohet Kosovës, ashtu siç i referohet vetëm Serbia. Manipulimi dhe mungesa e profesionalizmit kanë një emërues të përbashkët, gjejeni!”, thuhet në postimin e Bajraktarit.
Reagim të ashpër pati edhe deputeti i zgjedhur i PDK-së, Artan Behrami.
“Prokurorisë së Gjykatës Speciale nuk i ka mjaftuar që është shërbyer me dezinformata, dokumente të falsifikuara dhe dëshmi të rreme nga Serbia! Nuk i ka mjaftuar që aty s’ka flamur, s’ka emblemë, s’ka shenja të shtetit të Kosovës. E paska rikthyer kohën e Millosheviçit, duke ringjallur frazën fashiste, “Kosova dhe Metohija”. Duket se aty punojnë dy lloje të njerëzve: burokratë ndërkombëtarë që udhëhiqen nga mendësia e Serbisë dhe, ndoshta, zyrtarë të shtetit serb të punësuar si burokratë!”, shkroi ai.