Kosova dhe Sekretariati i Energjisë në seancë dëgjimore për TC “Kosova e Re”
Qeveria e Kosovës, qoftë ajo në largim apo qeveria e re nëse formohet, më 17 janar pritet të përballet në një seancë dëgjimore me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë lidhur me procedurat e zbatuara për projektin e termocentralit “Kosova e Re”.
Qeveria në largim e Kosovës, thotë se ka argumente që të përballet me Sekretariatin e Komunitetit për Energji në lidhje me dyshimet e ngritura për paligjshmëri rreth ndihmës shtetërore për realizimin e projektit të termocentralit “Kosova e Re”.
Në një njoftim publik, Sekretariati ka bërë të ditur se ka zbuluar disa masa të paligjshme në marrëveshjen komerciale të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Contour Global”. “Pagesat për energjinë dhe disponueshmërinë mbi 20 vjet në bazë të marrëveshjes për blerjen e energjisë, shitjen dhe transferimin e vendit ku do të ndërtohet termocentrali ishin nën vlerën e tregut”, thuhet në njoftimin e Sekretariatit të Komunitetit për Energji. “Këto masa nuk janë njoftuar tek autoritetet si ndihmë shtetërore dhe për këtë arsye përbëjnë ndihmë të paligjshme shtetërore”, thekson Sekretariati.
Ministri në largim i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, thotë për Radion Evropa e Lirë, se janë të bindur se në marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” nuk ka shkelje të legjislacionit. Ai thotë se në takimin që pritet të mbahet në janar do të dëgjohen argumentet e të dy palëve. “Ne i kemi argumentet tona nga ana jonë përmes ekspertëve të ndryshëm që kemi bërë një prezantim të detajuar të argumenteve të cilat e dëshmojnë që nuk ka ndihmë shtetërore. Është dërguar në Sekretariat më herët dhe kemi kërkuar që të diskutojmë me ta në detaje, por tani është koha që Sekretariati e ka filluar këtë procedurë dhe ne, më 17 janar, e kemi një ditë dëgjimore ku do të dëgjohen argumentet tonë lidhur me ankesën e Sekretariatit dhe aty e shohim cilat janë shkeljet e drejtpërdrejta”, tha Lluka.
Ministri në largim, Lluka, shton se argumentet e qeverisë janë në favor dhe nuk ka hapësirë për ndonjë shqetësim.
Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtojë 1.3 miliard euro. Ky projekt përfaqëson investimin më të madh të huaj në Kosovë.
Në bazë të marrëveshjes Qeveria e Kosovës jep një garanci shtetërore për pakon financiare për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, por që si i tillë ky garancion kërkon 2/3 e votave të deputetëve të Kosovës.
Lluka thotë se ky është një model që është bazuar në modelet e mëparshme që kanë bërë edhe vendet tjera dhe se, sipas tij, kjo ka qenë edhe forma e vetme për të arritur një kontratë komerciale me kompaninë “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.
Përfaqësues të shoqërisë civile në vazhdimësi kanë kundërshtuar kontratën e nënshkruar për ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”.
Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDP) thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo kontratë është e paligjshme dhe dëmton Kosovën në shumë fusha. “Kontrata me Conour Global për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ ka shkelur që nga fillimi legjislacionin vendor për ndihmën shtetërore, ka dëmtuar konkurrencën e lirë në treg dhe nëse kjo kontratë jetësohet nuk do të kemi fare liberalizim të tregut, por do të kemi dominim të vetëm njërit nga operatorët privat në treg i cili do të gëzojë të gjitha privilegjet e shtetit e të tjerët do të jenë të dëmtuar karshi tij”, u shpreh Abazi.