Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje në Bruksel. Shtyhet vendimi i targave, serbët kthehen në institucione
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë kanë arritur marrëveshje në Bruksel për targat.
Burimet e ‘Paparacit’ kanë thënë për mediumin së marrëveshja mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq, ka bërë që Kosova të pajtohet për shtyrjen e afatit për targat për 10 muaj.
Në këtë marrëveshje parashihet që serbët po ashtu të kthehen në institucionet të Kosovës.
Këtu bëjnë përjashtim deputetët e Listës Serbe që e kanë humbur mandatin.
Po ashtu, palët janë pajtuar që Asociacioni të krijohet brenda planit franko-gjerman.
Mes tjerash, në marrëveshjen e arritur thuhet që Serbia nuk do t’i pengojë zgjedhjet ne veri por do të marrë pjesë në to.
Megjithatë, BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës shtyrjen e planit për riregjistrimin e makinave, me qëllim shmangien e tensioneve.
Qeveria e Kosovës, megjithatë, ka nisur zbatimin e tij më 1 nëntor. Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të shpërndahen targa provuese.
Me këtë plan, pritet që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, sot zhvilloi takime dypalëshe në Bruksel me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák.