Kosova dhe Serbia do të dalin me propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së dinarit

19 mars 2024 | 18:43

Kosova dhe Serbia, deri më 22 mars, do t’i dorëzojnë propozimet e tyre për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme do të takohen sërish për diskutimin e opsioneve, tha kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi.

Ai dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, u takuan të martën në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak.

Ishte hera e parë që zyrtarë të Qeverisë së Kosovës morën pjesë në bisedime të tilla prej se Kosova, me një rregullore të Bankës Qendrore që hyri në fuqi më 1 shkurt, ndaloi përdorimin e dinarit serb, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese.

Çështja, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Mbajtjen e një takimi të ti për këtë çështje në nivel kryenegociatorësh e konfirmoi edhe Petkoviq.

Në një intervistë dhënë REL-it në po të njëjtën ditë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të pranohen propozime për dinarin që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…