Kosova dhe Serbia mund të takohen në gjysmën e dytë të dhjetorit në Bruksel
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se në javën e dytë të dhjetorit ka mundësi të ndodhë një takim në mes tij dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq në Bruksel, por për një gjë e tillë i mbetet të vendosin përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Josep Borrell dhe i ngarkuari i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Kurti në një konferencë për media ka thënë se Borrell dhe Lajçak e vlerësojnë nëse ndo t’ua dërgojnë ftesat ose jo.
“Është diskutuar mundësia e një takimi të mundshëm në javën e dytë të dhjetorit në Bruksel me presidentin e Serbisë. Nuk kam kurrfarë informacioni që ka kushtëzime nga ndokush veç se vlerësimi se a duhet të mbahet një takim i tillë ose jo i përket ndërmjetësuesit, lehtësuesit siç e quajnë ata veten, përkatësisht zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Jozef Borrel dhe emisarit të tij Lajçak. Janë ata të cilët e vlerësojnë nëse na dërgojnë ftesat ose jo dhe jo çfarëdo kushtëzimi i palës tjetër“, tha ai.
Kurti për vizitën e cila pritet të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm në Shtet e Bashkuara të Amerikës, nuk do të jap detaje pa u bërë programi i plotë.
Ai është ndalur edhe te emërimi i emisarit të posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, duke thënë se Kosova ka nevojë të ketë sa më shumë vëmendje të aleatëve dhe partnerëve perëndimor në rajonin tonë.
“Ne kemi nevojë të sa më shumë vëmendje të aleatëve dhe partnerëve perëndimor në rajonin tonë, meqenëse qartazi vëmendja, investimet dhe ndikimi tek fqinji ynë verior i fuqive, superfuqive nga lindja apo verilindja është rritur shumë kohët e fundit….Vëmendja e shtuar e Bashkimit Evropian, e Shteteve të Bashkuara, e NATO-s, ne në veçanti e Mbretërisë së Bashkuar, unë besoj që është e mirëseardhur jo vetëm për Kosovën por edhe për të gjithë politikanët dhe qytetarët që janë paqedashës në Ballkanin perëndimor“, tha ai.
Kurti përmendi edhe fundin e muajit shtator ku Serbia përveç që solli trupat në kufirin me Kosovën, solli për vizitë edhe ambasadorin rus në Beograd, ndërkohë që Aeroplani rus u ngrit në ajër.