Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë

04 shtator 2020 | 17:49

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donlad Trump.

Lajmi e bëri të ditur asistenti i presidentit Trump, Judd Deere.

“Presidenti Trump njofton se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për normalizim ekonomik. Edhe një marrëveshje historike e arritur nga ky president, që e bën botën më paqësore dhe më presporues”, ka shkruar ai në “Twitter”.

Presidenti Trump ka thënë se kjo është “një ditë shumë e rëndësishme dhe historike”.

Ai ka theksuar se edhe pas historisë së dhunës dhe negociatave të dështuara, administrata e tij ka bërë një “përparim të madh” në dialog dhe se “askush nuk ka menduar se kjo do të ishte e mundur”.

Trump, gjithashtu, ka thënë se ai shpreson se do të shkojë në të dyja vendet në një të ardhme jo aq të largët dhe se ai është “krenar për dy udhëheqësit”.

“Është dashur një trimëri e jashtëzakonshme nga presidenti i Serbisë, Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Hoti, për t’i filluar këto bisedime dhe për të ardhur në Uashington për t’i përfunduar këto zotime. Duke vepruar kështu, ata i kanë bërë vendet e tyre, Ballkanin dhe botën më të sigurt”, ka deklaruar Trump.

Në këtë marrëveshje thuhet se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për normalizimin ekonomik.

Po ashtu njëra ndër pikat është se dy palët do të përfshihen në të ashtuquajturën Zonën Mini-Shengen.

Pikat e parafundit thekson se Kosova është pajtuar që për një vit të shtyjë kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Serbia për një vit të pezullojë fushatën dhe lobimin kundër njohjes së shtetit të Kosovës.

Ndërsa, pika e fundit tregon se Kosova dhe Izraeli janë pajtuar që të njohin njëra-tjetrën.

Kjo është marrëveshja Kosovë-Serbi, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se në bazë të burimeve…