Kosova dhe Shqipëria arrijnë marrëveshje për shkurtimin e afateve për njohjen e diplomave
Ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Evis Kushi, ka prezantuar sot marrëveshjen dypalëshe për lehtësimin e procedurës së njohjes së diplomave në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ajo në mbledhjen e sotshme që po mbahet në mes të dy qeverive në Elbasan, ka thënë se është një domosdoshmëri për studentët e të dy vendeve.
“Kjo marrëveshje vjen si një domosdoshmëri pas shumë vitesh ku të rinjtë shqiptarë të diplomuar në institucione arsimore të Shqipërisë dhe Kosovës hasin në vështirësi apo vonesa në njohjen apo vlerësimin e diplomave të tyre. Kemi vendosur, kemi dakorduar që të lehtësojmë procedurat dhe të shkurtojmë afatet për njohjen e diplomave, certifikatave nga gradat shkencore, doktorë që jepen nga institucionet e tona arsimore”, ka thënë Kushi.
Lidhur me këtë marrëveshje ka folur edhe ministrja e Arsimit e Kosovës, Arbërie Nagavci.
Ajo ka thënë se kjo marrëveshje i lehtëson procedurat për njohjen diplomave në të dyja vendet.
“Marrëveshja që po e nënshkruajmë sot jo vetëm që e jetëson marrëveshjen e Lisbonës, por i shpëton procedurat formale, kohën dhe të gjitha ngarkesat në raport me njohjen e diplomave dhe gradave akademike për studentët dhe personat e tjerë që kanë tituj të lartë të fituar në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë dhe në Shqipëri”, ka thënë Nagavci.