Kosova dhe Shqipëria diskutojnë për promovimin e turizmit dhe heqjen e taksës në Rrugën e Kombit

31 maj 2021 | 14:15

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë pritur të hënën në takim ministrin e Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi, ku biseduan për promovimin e turizmit në të dyja vendet.

Bislimi ka bërë me dije se me ministrin Klosi kanë diskutuar për përgatitjen e kapaciteteve humane për sezonin turistike, masat anti-Covid si dhe mundësinë e eliminimit të detyrimit për të paguar taksën në Kalimash.

Ai ka treguar se kanë diskutuar edhe për hapat që do të ndërmarrin dy ministritë në mënyrë që rruga të jetë sa më e lehtësuar ndërmjet dy vendeve për eliminim e detyrimit për të paguar taksën në Kalimash.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se përveç turizmit kanë diskutuar edhe për trajtimin e mbeturinave.

“Do të kemi të bëjmë me grupe të përbashkëta rreth çështjeve kombëtare. Prandaj në bashkëpunimet tona ne do të krijojmë grupe punuese dhe do të realizojmë synimet e memorandumeve të nënshkruara ku gjatë muajit qershor do të ketë të përfshirë aktivistë të ndryshëm në aktivitetin për pastrimin e liqenit të Vërmicës”, është shprehur Aliu.

Nga ana e tij, ministri i Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi ka thënë se folën për problematikat e dy institucioneve sa i përket përgatitjes së masave për pushimet që do t’i bëjnë shqiptarët e Kosovës në Shqipëri.

“Turizmi është industri shumë e rëndësishme për të dyja vendet tona. Prandaj do të bëjmë gjithçka që është e mundur që ofertat e përbashkëta të jenë realitet. Deti është i gjithë shqiptarëve. Kemi shumë punë për të bërë, por ne i drejtohemi qeverive tona t’i nxisim dhe të shtojnë investimet. Me Liburnin folëm që bukuritë e pashfrytëzuar duhet të jenë atraksion turistik. Gjithashtu folëm që parqet tona të jenë me rrugë e shtigje të lëvizjes së lirë. Prandaj në kuadër të bashkëpunimit dua një Shqipëri dhe Kosovë të pastër”, ka thënë Klosi.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kadri Veseli sot ka mbushur 54 vjet. Me rastin e…