Kosova dhe Shqipëria diskutojnë për rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë

30 mars 2022 | 16:59

Në kuadër të vizitës dyditore në vendin tonë, delegacioni i Komisionit për Politikën e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, kryesuar nga kryetarja Mimi Kodheli, të mërkurën ka vizituar Ministrinë e Mbrojtjes.

Me këtë rast, ata u pritën nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe stafi i lartë i ministrisë.

Në takimin e realizuar me këtë rast u diskutua për nivelin e bashkëpunimit dhe planeve konkrete të deritashme mes dy vendeve tona në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Nga kryetarja Kodheli, njëherësh zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, u dha zotimi i fuqishëm për mbështetje nga pozicioni i saj në synimet tona në procesin e integrimeve euroatlantike dhe lobimin te vendet mosnjohëse, anëtare të NATO-s.

Ndër shumë çështje të tjera të rëndësishme të diskutuara, nga të dyja palët u vlerësua nevoja për një qasje dhe bashkëveprim më të shtuar nga dy qeveritë tona, në kontekstin e ri gjeopolitik, si dhe sfidave potenciale që cenojnë mjedisin e sigurisë sonë dhe rajonit në përgjithësi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar të mërkurën se pas 1…