Kosova dhe Shqipëria do t’i bashkërendojnë politikat shëndetësore
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, është takuar të mërkurën me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, me të cilën ka biseduar për bashkërendimin e politikave shëndetësore në mes të dy vendeve.
“Vizitë sa miqësore aq edhe frytdhënëse në Shqipëri. Është kënaqësi të shohësh punën e mirë që ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë atje. Kosova dhe Shqipëria do t’i bashkërendojnë politikat shëndetësore, që reformat të cilat kemi nisur në të dy vendet në sektorin shëndetësor gjatë kësaj qeverisjeje, të zhvillohen mbi bazën e një bashkëpunimi sa më të madh”, ka thënë ministri Ismaili.
Ai ka thënë se Shqipëria ka kaluar nëpër procese të reformave shëndetësore kohë më parë, në veçanti sa i përket funksionalizimit të sigurimeve shëndetësore. “Andaj edhe do të kemi nevojë për përvojën e ekspertëve shqiptarë në këtë proces, e cila na u garantua se nuk do të mungoj. Falënderoj ministren Manastirliu për pritjen e ngrohtë dhe mbështetjen e parezervë të shtetit shqiptar për t’i ndihmuar reformat në shëndetësinë kosovare”, ka deklaruar ministri Ismaili.
/Epoka e re/