
Kosova dhe Shqipëria fillojnë auditimin paralel “Mbrojtja dhe siguria e digave”
Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës (ZKA) dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit i Shqipërisë (KLSH) mbajtën të mërkurën takim pune në kuadër të auditimit paralel të performancës për mbrojtjen dhe sigurinë e digave në të dyja vendet.
Takimi i mbajtur në ambientet e ZKA-së në Prishtinë synon thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve të auditimit dhe shkëmbimin e përvojave për të përmirësuar kontrollin dhe sigurinë e infrastrukturës së digave.
Takimi u hap me fjalët përshëndetëse të Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe të Kryetarit të KLSH-së, Arben Shehu, të cilët theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi për rritjen e transparencës dhe efikasitetit në auditimet publike.
“Është kënaqësi e veçantë të realizojmë auditimin e tretë paralel me Kontrollin e Lartë të Shtetit, përmes të cilit kemi edhe një mundësi të shkëlqyer për të forcuar më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve tona”, ka theksuar Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.
Ndërkaq kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, ka thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të mbesim prezentë dhe të ofrojnë kontributin e tyre në ZKA dhe KLSH, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Më tutje përgjatë takimit, ekipet audituese të ZKA-së dhe KLSH-së prezantuan analizat e tyre për gjendjen e digave në Kosovë dhe Shqipëri, sfidat dhe mundësitë për përmirësim. Diskutimet u fokusuan në planifikimin e auditimit paralel, i cili do të ndihmojë në identifikimin e dobësive dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit mbi sigurinë e digave.
Ky aktivitet shënon vazhdimin e bashkëpunimit në mes të ZKA-së dhe KLSH-së për të forcuar llogaridhënien dhe transparencën në menaxhimin e resurseve publike.