Kosova dhe Shqipëria ftojnë shqiptarët e Malit të Zi për votë historike
Liderët institucionalë të Kosovës dhe të Shqipërisë i kanë ftuar shqiptarët e Malit të Zi që ta dalin në numër sa më të madh të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit. Ata kanë bërë thirrje që shqiptarët e asaj pjese ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike që përmes pjesëmarrjes së gjerë në këtë proces zgjedhor dhe mbështetjes së alternativave shqiptare ta rrisin përfaqësimi e vet në Parlamentin e Malit të Zi.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se Lista Shqiptare është zgjedhja e duhur për ta vazhduar punën në të mirë të shqiptarëve dhe në drejtim të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Sipas tij, komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka qenë gjithmonë faktor stabiliteti dhe ka luajtur rol konstruktiv dhe kontributdhënës në rrugën e integrimit euroatlantik të tij.
“Prandaj, duke njohur punën e tyre të vyer në të mirë të interesave kombëtare, edhe sot u bëj thirrje të gjithë bashkëkombësve tanë në Mal të Zi, që të dalin masivisht në zgjedhje për ta mbështetur Listën Shqiptare, në mënyrë që ta avancojnë përfaqësimin e tyre politik dhe ta sigurojnë ecjen përpara të Malit të Zi drejt së ardhmes euroatlantike si pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Lista Shqiptare është zgjedhja e duhur për ta vazhduar punën në të mirë të shqiptarëve dhe në drejtim të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian. Çdo kontribut i dhënë për avancimin e agjendës evropiane të Malit të Zi e çon përpara bashkimin e të gjithë shqiptarëve në familjen e madhe evropiane”, ka shkruar Thaçi në profilin e vet në “Facebook”.
Edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se zgjedhjet e 30 gushtit janë një mundësi e shkëlqyer për ta forcuar edhe më shumë perspektivën evropiane të vendit të tyre. “Me këtë rast, shpreh bindjen se bashkëkombësit tanë në Malin e Zi do ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike përmes pjesëmarrjes së gjerë, njëkohësisht përmes mbështetjes së tyre për alternativat shqiptare, në mënyrë që përfaqësimi i tyre në Parlamentin e Malit të Zi të rritet, si dhe në të gjitha institucionet e ardhshme qeverisëse. Të jemi krenarë për rolin dhe kontributin historik që faktori shqiptar në Malin e Zi ka luajtur deri sot”, ka shkruar Meta në profilin e vet në “Facebook”.
Ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se zgjedhja e shqiptarëve të Malit të Zi në zgjedhjet e së dielës është e qartë. Me anë të një videomesazhi në llogarinë e vet në “Facebook”, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve në Malin e Zi, që në zgjedhjet e 30 gushtit ta votojnë listën shqiptare si dhe ta forcojnë bashkëpunimin me presidentin Gjukanoviq dhe forcën e tij politike.
“Unë besoj se zgjedhja juaj është e qartë dhe shpresoj që vota juaj të jetë e bashkuar në të njëjtin drejtim që fuqizon përfaqësimin tuaj në jetën politike të Malit të Zi dhe shkon në harmoni me zgjedhjen e duhur për atë vend që duhet të vazhdojë përpara. Prandaj, ju bëj thirrje të mos e lini për asnjë arsye pa e ushtruar të drejtën e votës suaj dhe ta mbështesni sa më fuqimisht Listën Shqiptare”, ka thënë Rama.
Ai ka thënë se ajo listë nuk është thjesht një mbledhje partish shqiptare. Sipas tij, ajo po lidh për herë të parë shqiptarët në ato treva për ta mbështetur njëri-tjetrin dhe drejtimin euroatlantik të Malit të Zi. “Roli juaj ka qenë e mbetet i pazëvendësueshëm për pavarësimin e Malit të Zi, për zhvillimin e demokracisë shumetnike dhe zhvillimin demokratik e social të Malit të Zi. Sot ju kryeni detyra të rëndësishme në të gjitha nivelet institucionale të shtetit tuaj për ta mbështetur procesin e integrimit evropian. Dhe mos harroni çfarë përpjekjesh ka bërë e bën diaspora e shkëlqyer e shqiptarëve nga Mali i Zi, si një zëdhënëse e fuqishme e interesave kombëtare anekënd botës dhe si mbrojtëse e frymës euroatlantike në tërësi”, ka thënë Rama.
Edhe lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka ftuar shqiptarët e Malit të Zi që të dalin në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit dhe t’i votojnë partitë shqiptare. Në profilin e vet në “Facebook” ai ka shkruar se shqiptarët duhet të kenë besim te forca e votës si dhe te proceset demokratike, si rrugët e vetme për të ‘iealizuar të drejtat dhe interesat kombëtare.
“Me afrimin e datës 30 gusht, ditës së zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, dëshiroj t’i ftoj të gjithë bashkëkombësit tanë shqiptarë që të dalin në votim dhe t’i votojnë partitë shqiptare. Shqiptarët duhet të kenë besim te forca e votës si dhe te proceset demokratike, si rrugët e vetme e të duhura për t’i realizuar të drejtat dhe interesat kombëtare. Po ashtu, duke votuar listat shqiptare ata forcojnë peshën e tyre për të ndikuar në vendim-marrjen e këtij shteti, në mënyrë që të përmbushen kërkesat e tyre legjitime”, ka shkruar ai.
Sipas tij, shqiptarët e Malit të Zi janë faktorë konstruktivë. Këtë e kanë dëshmuar me përkrahjen e referendumit të pavarësisë, e hyrjes në NATO dhe në të gjitha proceset e reformave demokratizuese të këtij shteti mik. “Forcimi i zëri të shqiptarëve në institucionet shtetërore të Malit të Zi është në dobi edhe të vetë këtij shteti fqinj, sepse shqiptarët kudo ku jetojnë e mbajnë të palëkundur orientimin euroatlantik dhe mbështesin pa kursim forcimin e liberal demokracisë dhe bashkëjetesës në diversitet”, ka vlerësuar ai.
Bartësi i Listës Shqiptare për zgjedhjet e 30 gushtit në Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, është shprehur i bindur për rezultatet pozitive të kësaj liste. Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se kjo listë do t’i fitojë dy deputetë në Parlamentin e Malit të Zi.
“Presim që ‘Lista Shqiptare Genci Nimanbegu-Nik Gjeloshaj’ do të korrë sukses në zgjedhjet e 30 gushtit duke i fituar dy mandate. Ashtu flasin edhe sondazhet e bëra ditët e fundit. Dy mandate shqiptare mund të jenë vendimtare në konstelacionin politik që do të krijohet pas zgjedhjeve. Të gjithë e shohim ndarjen si me thikë të elementit malazias-serb në Mal të Zi. Unë nuk pres lëkundje tektonike në këtë skenë, por të jesh vendimtar me votën tënde di të jetë me interes shumë të madh për ne shqiptarët”, ka thënë ai.
Gjeloshaj ka vlerësuar se përfaqësuesit e këtij koalicioni dinë më se miri t’i mbrojnë të drejtat e shqiptarëve në këtë shtet. “Kemi dëshmuar si në rrafshin lokal, si në atë shtetëror, se angazhimi ynë merr frymë shqip, se dimë me një dinjitet të palëkundshëm t’i mbrojmë interesat e shqiptarëve, se nuk bëjmë kompromise të kalbura dhe as tregti me çështjen tonë kombëtare”, është shprehur ai. Në zgjedhjet e 30 gushtit të Malit të Zi, përveç Listës Shqiptare, e cila përbëhet nga pesë subjekte politike, merr pjesë edhe Koalicioni Shqiptar “Njerëzia”.
Muhamet KOCI