Nënshkruhet Kalendari Kulturor Kosovë – Shqipëri

18 qershor 2018 | 11:43

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Kujtim Gashi dhe ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, në ambientet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nënshkruan të hënën protokollin e bashkëpunimit për Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor, të pestin vit radhazi.

Përmes këtij akti dy vendet janë pajtuar për përfshirjen e aktiviteteve kulturore në një kalendar të përbashkët, i cili është i bazuar në “Deklaratën e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës” nënshkruar në Prizren më datë 11 janar 2014.

Në kalendarin e sivjetmë të përbashkët kulturor do të realizohen aktivitete në fushën e trashëgimisë, që kanë të bëjnë me digjitalizimin e trashëgimisë dhe trajnime e edukim në fushën e restaurimit dhe konservimit; ekspozita në fushën e arkeologjisë dhe të muzeve, në fushën e teatrove do të mbahet Festivali Mbarëkombëtar i Teatrit dhe do të realizohen shfaqje teatrale si në Kosovë dhe në Shqipëri, në fushën e filmit do të jepen premierat e pesë filmave.

Në fushën e artit pamor do të realizohet një ekspozitë në Shqipëri. Këto aktivitete do t’i bartin institucionet kombëtare përkatëse të kulturës.

Nënshkrimin e këtij kalendari ministri Kujtim Gashi e ka cilësuar si ditë shumë të rëndësishme për të dy vendet.

Ai ka pohuar se të gjitha institucionet e kulturës dhe trashëgimisë do të kenë aktivitete të përbashkëta edhe në Kosovë edhe në Shqipëri.

“Mendoj se ky është një moment që dy institucionet tona janë në krye të organizimeve, pa e prekur pjesën e pavarur të institucioneve të kulturës. Besoj se këtë vit është më i veçantë sepse jemi ndalur në aktivitetet specifike”, u shpreh Gashi, duke shfaqur edhe vlerësim për punën e ministres Kumbaro në raport me lobimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Ndërsa ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, ka thënë se kultura e dëshmon më së miri se nuk ka kufi tjetër në mes të Kosovës dhe Shqipërisë përveç atyre administrativë.

Ajo pati vlerësim për institucionet e kulturës dhe skenën e pavarur kulturore të Kosovës.

“Ne kemi njohur të gjithë energjinë që ka skena e pavarur e Kosovës me të cilën duam ta kemi një bashkëpunim, por edhe për të mësuar më shumë sepse skena e pavarur në Tiranë nuk e ka të njëjtën pjekuri. Kufijtë janë administrativë, kultura është si lumenjtë. Lumenjtë kur kalojnë vijën e ujin nuk pyesin a ka kufi. Ne duhet të krijojmë të njëjtin mjedis për kulturën”, ka vlerësuar Kumbaro.

Që të dy ministrat thanë se koncepti i kalendarit të përbashkët është i hapur dhe do të përfshihen të gjitha vendet ku ka shqiptarë.

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka nënshkruar kontratën…