Kosova dhe Shqipëria këmbejnë përvojat në fushën e inspektimeve shëndetësore
Një delegacion i Inspektoratit Shëndetësor të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga kryeinspektorja, Vjollca Braho, është duke qëndruar për një vizite punë në Republikën e Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet inspektorateve nga Kosova dhe Shqipëria.
Delegacioni nga Shqipëria është pritur nga zëvendësministri i Shëndetësisë (MSh), Arsim Berisha dhe sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie, Naim Bardiqi, të shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së zëvendëskryeinspektorit shëndetësor në Kosovë, Shaban Osmanaj dhe këshilltari i ministres Gexha, Drin Podrimqaku.
Zëvendësministri Berisha dhe sekretari Bardiqi kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në mes të dy inspektorateve në veçanti gjatë pandemisë, për të kontribuar drejtpërdrejt në zbatimin e masave kundër Covidit në të dy vendet si rruga e duhur për t’u ballafaquar me sukses me sfidën që ka kërcënuar seriozisht shëndetin publik në nivel global dhe kombëtar.
Më tutje, zëvendësministri Berisha ka theksuar se ky është një segment i bashkëpunimit në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta midis dy qeverive respektive.
Kurse kryeinspektorja Braho, ka thënë se delegacioni nga Shqipëria është në Kosovë për të këmbyer eksperiencat në fushën e inspektimeve me qëllim që të dy inspektoratet ta ndihmojnë njëri-tjetrin.
Para takimit në MSh, delegacioni nga Shqipëria ka zhvilluar një takim pune në Inspektoratin Shëndetësor ku janë trajtuar sfidat e dy inspektorateve dhe përvojat e inspektimeve dhe monitorimit gjatë Covid-19.
Gjatë qëndrimit dy ditor, të dy inspektoratet do të zhvillojnë inspektime të përbashkëta në disa komuna të Kosovës.