Kosova dhe Shqipëria koordinojnë punët për mirëmenaxhimin e ujësjellësve
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka, dhe atë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, kanë marrë pjesë në konferencën e përbashkët të organizuar në Tiranë nga shoqatat e Ujësjellës-Kanalizimeve të dyja vendeve.
Shqipëria tanimë është vendi i parë në rajon që në kuadër të bashkëpunimit me USAID ka formalizuar një program për trajnimin dhe certifikimin e stafeve të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve.
Për këtë arsye mes ministrave Gjiknuri e Lluka u firmos edhe një memorandum i përbashkët përmes të cilit do të mundet që dyja vendet të shkëmbejnë përvojën e tyre me synim mirëmenaxhimin e burimeve njerëzore.
“Që të administrojmë siç duhet ujin duhet të kemi njerëz profesionistë e që dinë të menaxhojnë këtë pasuri kaq të rëndësishme. Ne në Shqipëri kemi filluar një reformë të rëndësishme për sa i përket mirëmenaxhimit të sektorit të ujit të pijshëm. Rezultatet e para kanë qenë të mira. Është rritur arkëtimi me 17 milion euro më shumë se vitin e kaluar për të njëjtën periudhë. Janë reduktuar ekspozimet e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Sipas tij, në kuadër të reformës së ujit është bërë e mundur që në periudhën nëntëmujore të këtij viti të instalohen 74 mijë matës dhe 37 mijë kontrata të reja të nënshkruhen.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, vuri theksin tek nevoja për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe shkëmbimin e eksperiencave pozitive në menaxhimin e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve.
“Kemi nevojë edhe ne në Kosovë për praktikat më të mira që ofron Shqipëria, sidomos nga disa praktika me menaxhimin e ujërave të zeza. Prandaj, le të jetë kjo edhe një metodë e shkëmbimit të këtyre praktikave që mund ti aplikojmë në vendet tona në mënyrë që bashkërisht t’i menaxhojmë ujërat sa më mirë”, ka deklaruar Lluka.
Ndërkaq ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka theksuar se konferencat e tilla janë mbështetje dhe shtytje edhe për ministritë dhe qeveritë e dyja vendeve.
/Epoka e re/