Kosova dhe Shqipëria me pika të përbashkëta kufitare
Prej ditës së nesërme veturat që udhëtojnë Kosovë-Shqipëri dhe anasjelltas, do t’i nënshtrohet vetëm një kontrolli kufitar.
Kjo pasi sipas marrëveshjes së nënshkruar sot nga ministrat e brendshëm të Kosovës dhe Shqipërisë, pika kufitare në Kosovë është hequr.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili konfirmoi se pika kufitare në Kosovë është larguar e njëherësh u zotua se po punojnë që brenda pak kohësh kufiri të bëhet pika që i bashkon këto dy vende.
Haradinaj: Pika kufitare e Kosovës nuk ekziston më “Qëllimi i ardhjes sonë këtu, është që të konstatojmë se nga dita e sotme kemi filluar menaxhimin e integruar të kufirit, në këtë rast Shqipëri-Kosovë, pra ende nuk e kemi hequr kufirin, është menaxhim i integruar. Në fakt ka ndodhur diçka reale, ajo që dikur ishte pikë kufitare e Kosovës, nuk ekziston më, pra është hequr në tërësi, ky 50 përqindëshi mund të them se ka ndodhur”, ka thënë Haradinaj.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Ekrem Mustafa ka thënë se falë kësaj marrëveshjeje do të përgjysmohet pritja në kufirin Kosovë-Shqipëri.
Mustafa: E kemi përgjysmuar pritjen
“Falënderoj ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, i cili pangurrim edhe me një vullnet të madh, së bashku arritëm që të bëjmë një marrëveshje, e cila lehtësoi që ne në vitin 2019 të arrijmë të zbresim kohën, pra që ta kalojmë kufirin për 50 për qind më pak në kohë”, ka thënë Mustafa.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Sandër Lleshaj këtë marrëveshje e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt lirisë së lëvizjes, e njëherësh ka thënë se nuk do të ndalen deri sa ta reduktojnë në tërësi kohën e pritjes.
Lleshaj: Synojmë ta reduktojmë në zero kohën e pritjes
“Marrëveshja ka një rëndësi të veçantë, me këtë marrëveshje ne ulim 50 për qind kohën e pritjes. Është një ulje e konsiderueshme, e cila na tregon që me vullnet bëhen gjërat e mira dhe të mëdha, por sigurisht që objektivi është për ta çuar në zero kohën e pritjes dhe ne po punojmë me ekipet e dy ministrive për të reduktuar së shpejti kohën e pritjes në zero”, ka thënë Lleshaj.
Ai njëherësh ka shprehur ngushëllime për policin kosovar Izet Demaj, dhe tha se ky rast po dëshmon aftësinë e Policisë së Kosovës, por edhe praninë e krimit në vend.
Po ashtu, Lleshaj përcolli përshëndetjet e kryministrit të Shqipërisë Edi Rama, për të cilin tha se do të jetë i pranishëm kur të reduktohet plotësisht koha e pritjes në kufi.