Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje në fushën e forenzikës
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia e Kosovës për Forenzikë e Republikës së Kosovës, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Drejtorinë e Policisë së Shtetit, përkatësisht Instituti i Policisë Shkencore i Republikës së Shqipërisë.
Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka thënë se shkëmbimi i përvojave dhe bashkëpunimi në mes të AKF-së dhe IPSH-së, është tejet i rëndësishëm në luftimin, parandalimin dhe zbulimin e ngjarjeve kriminale dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit në të dy vendet.
“Përvoja e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, ka bërë që ky institucion të jetë i besueshëm gjatë gjithë këtyre viteve. Ky bashkëpunim në mes AKF-së dhe ISHP-së do të ndihmoj zhvillimin dhe zgjerimin e kapaciteteve forenzike në të ardhmen”, ka thënë Gashi.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, u shpreh se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme në thellimin e bashkëpunimit në fushën e policisë shkencore, shfrytëzimin e kapaciteteve të laboratorëve të kriminalistikës, shkëmbimin e ekspertëve dhe ekspertizës.
Qëllimi i kësaj marrëveshje të bashkëpunimit është të bëjë intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe forcimin e bashkëpunimit midis institucioneve të zbatimit të ligjit të dy vendeve, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave të përbashkët, si dhe vendosjen e bashkëpunimit konkret në fushën e parandalimit dhe zbulimit të ngjarjeve kriminale dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit, për krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët.
Gjithashtu, memorandumi i bashkëpunimit ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit ndërmjet AKF-së dhe IPSH-së për rritjen dhe forcimin e kapaciteteve dhe profesionalizmit në zbatimin e shkencave ligjore si dhe për shkëmbimin e informacioneve dhe përvojave më të mira.