Kosova dhe Shqipëria nuk pranojnë që UNMIK-u ta udhëheq mbledhjen e CEFTA-s në Prishtinë
Mbledhja e Komitetit të CEFTA-s e cila duhej të mbahej në Prishtinë, ka dështuar.
Delegacionet e Kosovës dhe Shqipërisë janë larguar nga takimi, pasi delegacioni i Kosovës ka kundërshtuar që mbledhjen ta kryesojë përfaqësuesi i UNMIK-ut, siç kishte insistuar delegacioni i Serbisë.
Kësisoj nuk ka pasur më kuorum dhe mbledhja ka dështuar. Lidhur me këtë ngjarje, Qeveria e Serbisë ka lëshuar një komunikatë në të cilën e ka akuzuar Kosovën për obstruksion dhe për vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.
Siç raporton “B92” me gjithë tensionet e larta në raportet midis Beogradit e Prishtinës, siç i cilësojnë ato mediet serbe, përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Serbisë ishin të pranishëm në mbledhjen e rregullt të Komitetit të përbashkët të CEFTA-s në Prishtinë, siç është thënë në komunikatën e Qeverisë së Serbisë, “për të dërguar kështu edhe një herë mesazhin e paqes dhe të tolerancës dhe për të demonstruar vullnetin e mirë që në mënyrë konstruktive të përpiqen të merren vesh dhe të zgjidhin çështjen e vendosjes së taksës nga ana e “Institucioneve të përkohshme të qeverisjes në Prishtinë”, duke respektuar mekanizmin dhe procedurat e CEFTA-s”.
“Serbia ka pranuar që mbledhjen ta hapin bashkërisht UNMIK-u dhe ‘Institucionet e përkohshme të qeverisjes në Prishtinë’, me gjithë faktin se kryesues i mbledhjes mund të jetë vetëm UNMIK-u si kryesues i Marrëveshjes së CEFTA-s më 2018, që është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB. Duke braktisur mbledhjen, të dyja delegacionet drejtpërdrejt sabotuan përpjekjen që me rrugë paqësore të arrihet marrëveshja për zgjidhjen e problemit”, është thënë në komunikatë.