Kosova dhe Shqipëria pëlqejnë më së shumti kancelaren Merkel
Gallup International ka realizuar anketën e vitit 2018 në lidhje me vlerësimet që kanë qytetarët e 55 shteteve për udhëheqësit botëror.
Të anketuarit janë pyetur nëse kanë mendim negativ apo pozitiv për presidentin amerikan, Donald Trump, presidentin rus, Vladimir Putin, presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, kancelaren gjermane, Angela Merkel, si dhe liderë të tjerë.
Kosova dhe Shqipëria që të dyja kanë nxjerrë kancelaren gjermane, Angela Merkel si lideren e preferuar.
Në Kosovë 77 për qind e qytetarëve kanë mendim pozitiv për Merkelin, kurse në Shqipëri kjo shifër shkon në 82 për qind.
57 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë mendim pozitiv për Erdoganin, kurse 47 për qind e tyre e shohin pozitivisht presidentin amerikan Donald Trump.
Ndërkaq 10 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë mendim pozitiv për Putinin, kurse 59 për qind kanë mendim negativ për të.
Mirëpo, përderisa Kosova dhe Shqipëria kanë përputhje në preferencën ndaj Merkelit, një dallim i madh vërehet në mënyrën si e shohin qytetarët e të dy vendeve presidentin rus, Putin.
Në Shqipëri lideri i dytë më i preferuar është presidenti rus Putin, me 68 për qind njerëz që ndajnë mendim pozitiv për të.
Për Trumpin 67 për qind e qytetarëve të Shqipërisë kanë mendim pozitiv, kurse 30 për qind ndajnë mendim negativ.