Kosova dhe Shqipëria sonte debutojnë në Ligën e Kombeve
Sonte (e premte) shqiptarët do të kenë festë sportive, pasi luajnë Kosova dhe Shqipëria në Ligën e Kombeve. Të dyja këto skuadra synojnë ta nisin me fitore aventurën në këtë ligë, pasi synim kryesor mbetet kualifikimi në Kampionatin Evropian.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll nga ora 18:00 debuton në Ligën e Kombeve si mysafire e Azerbajxhanit, kurse dy orë e dyzetepesë minuta më vonë Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë si vendëse kundër Izraelit. Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se kundërshtari ka një skuadër cilësore, por që Kosova synon të japë dhe marrë më të mirën në këtë ndeshje.
“Unë dhe shtabi teknik kemi punuar mjaft këto ditë si në mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Kemi ushtruar lojën presing, gjuajtjet e lira, nga këndi dhe pika e bardhë. Kemi një kundërshtar mjaft të fortë e me agresivitet. Dua të kemi një ekip të mirë dhe nuk jam i fokusuar në individë. E di që të gjithë kanë dëshirë të luajnë, por ne duhet të dimë se kemi dy ndeshje dhe duhet të kemi lojtarë për dy ndeshje. Do të bëjmë atë që mundemi më së miri”, ka thënë Challandes.
Në të njëjtën linjë me trajnerin e Kosovës është edhe kapiteni Samir Ujkani. Ky i fundit e vlerëson Azerbajxhanin si kundërshtar të papërshtatshëm, por beson në fitore. “Jemi përgatitur maksimalisht këto ditë, sepse nuk ka kundërshtarë të lehtë. Azerbajxhani ka një skuadër të mirë, por ne do të përpiqemi ta japim maksimumin tonë të dijës dhe forcës që të dalim faqebardhë nga kjo ndeshje”, ka thënë Ujkani, i cili bën me dije se fitoren e dëshirojnë për ish-presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
Pas përfundimit të ndeshjes Azerbajxhan – Kosovë, Shqipëria në “Elbasan Arena” e pret Izraelin, një kundërshtar i njohur për shqiptarët, pasi në vitet e fundit janë përballur ndërmjet vete këto dy kombëtare. Mbrojtësi Elseid Hysaj ka thënë se synimi i Shqipërisë është kualifikimi në Evropian, prandaj synohet fitore ndaj izraelitëve. “Nuk duhet t’i falim minuta Izraelit siç bëmë këtu në ndeshjen e parë. Kishim mundësi t’i fitonim të dyja ndeshjet. Ajo që duhet të bëjmë tani është përqendrimi. Kemi një trajner të ri dhe mendime të reja. E dimë ku duhet të përmirësohemi. Të gjithë duhet të kemi një gjë në kokë: kualifikimin në Evropian. Do të ishte një gjë e madhe dhe entuziazmi nuk na mungon”, ka thënë Hysaj.
/Veton ZYMBERI/