Kosova dhe Suedia diskutojnë për reformat kryesore të zhvillimit

28 maj 2019 | 11:42

Ministria e Integrimit Evropian dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë kanë organizuar takimin vjetor midis Suedisë dhe Kosovës në kuadër të bashkëpunimit suedez për reforma në Kosovë, si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit për reforma gjatë viteve 2014-2020.

Në hapje të këtij takimi, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se qëllimi kryesor i bashkëpunimit për reformën në mes të Kosovës dhe Suedisë është lehtësimi i rrugës së Kosovës drejt integrimit në BE duke u përqendruar në zhvillimin ekonomik, zhvillimin e sektorit privat, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, si dhe mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Ajo ka theksuar rëndësinë e koordinimit të donatorëve përmes grupeve punuese sektoriale dhe ato nënsektoriale dhe Forumit të Nivelit të Lartë.

“Qëllimi ynë strategjik është përforcimi i qasjes së Kosovës në fonde të jashtme, si  IPA III, për periudhën 2021-2027, dhe po ashtu qëllimi ynë është të bashkojmë të gjithë ndihmën e donatorëve me këtë instrument, në mënyrë që të inkurajojmë bashkëpunimin dhe sinergjinë nëpërmjet ndihmës bilaterale”, është shprehur Hoxha.

Ajo ka ftuar pjesëmarrësit në takim për të reflektuar mbi progresin e arritur dhe për të shqyrtuar mundësitë për shfrytëzimin e mëtejshëm të ndihmës suedeze në forcimin e rrugës së Kosovës në BE.

Ndërkohë, ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck-Ahliny, ka theksuar partneritetin e kamotshëm  të Suedisë me Kosovën.

Ajo ka treguar se në mënyrë bilaterale gjatë vitit të kaluar, fondet suedeze të bashkëpunimit për reformën në Kosovë arritën shumën prej  94.4 milionë krona suedeze  apo rreth 8.5 milionë euro duke e bërë Suedinë donatorin e pestë më të madh dypalësh në Kosovë.

Hernmarck-Ahliny ka thënë se për këtë duhet shtuar fonde të konsiderueshme për përfitimin e Kosovës nga fondet e zhvillimit rajonal, garancitë kreditore, nga financimi themelor i sistemit të OKB-së në përgjithësi dhe nga bashkëpunimet tjera institucionale.

“Suedia vazhdon angazhimin e madh në Kosovë. Ne po punojmë me akterët qeveritarë dhe institucionet si dhe me shoqërinë civile për të kontribuar në një sistem të drejtë, transparent dhe të përgjegjshëm të qeverisjes demokratike. Ne e mbështesim Kosovën në procesin e integrimit evropian dhe në përpjekjet për përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve të saj. Në thelb të kësaj pune është barazia gjinore, mjedisi dhe ndryshimet klimatike, të cilat janë parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të drejtë”, ka deklaruar Hernmarck-Ahliny, duke shtuar se përveç kësaj, Suedia vazhdon të përqendrohet në zgjidhjen e konflikteve dhe zbutjen e varfërisë.

“Zhvillimi i sektorit privat është vendimtar në lidhje me këtë të fundit, jo më pak për krijimin e vendeve të punës që nevojiten për të inkurajuar talentet dhe ambiciet e rinisë së Kosovës. Në Kosovë dhe në Suedi,  një shoqërie civile pluraliste, si dhe respektim themelor për të drejtat e njeriut, mbeten fushat kryesore të interesit. Ky është një parakusht për integrimin në BE, si dhe për arritjen e objektivave tona të përbashkëta ambicioze të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm”, ka thënë ambasadorja suedeze.

Gjatë takimit delegacionet e udhëhequra nga ministrja Hoxha dhe ambasadorja Hernmarck-Ahliny kanë shqyrtuar progresin në zbatimin e ndihmës së Suedisë për vitet 2014-2020 në vlerë prej 8-10 milionë euro në vit.

Delegacionet konfirmuan se ndihma po zbatohet siç është planifikuar me 30 programe dhe projekte aktuale.

/Epoka e re/

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ftohtë dhe shi, por të premten në Itali mbërrin vera.…