Kosova dhe Tajlanda me marrëveshje për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Mbretërisë së Tajlandës, Virasakdi Futrakul, kanë nënshkruar marrëveshjen dypalëshe për heqjen e regjimit të vizave për poseduesit e pasaportave diplomatike në mes të dy vendeve.
Marrëveshja është nënshkruar në kuadër të takimit bilateral të dy përfaqësuesve të lartë shtetëror në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
“Me zëvendësministrin e Jashtëm të Mbretërisë së Tajlandës, Virasakdi Futrakul, nënshkruam marrëveshjen për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike. Biseduam për nxitjen e bashkëpunimit me këtë vend të madh që ka ritme zhvillimi të jashtëzakonshme dhe që mund të na ndihmojë shumë me teknologji, etj. Po koordinohemi për betejat tona të reja diplomatike si anëtarësimi në Interpol dhe njohje të reja”, ka thënë Pacolli.
/Epoka e re/