Kosova dhe Turqia fuqizojnë bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, ka marrë pjesë në Kongresin e dytë ndërkombëtar të mjekësisë tradicionale dhe komplementare (GETAT), i cili është mbajtur në Stamboll të Turqisë, nën përkujdesjen e Presidencës dhe Zonjës së parë të shtetit turk dhe me asistencën teknike të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh).
Në këtë kongres në të cilin kanë marrë pjesë rreth dy mijë pjesëmarrës nga shtete të ndryshme janë trajtuar aspekte të ndryshme të aplikimit të mjekësisë tradicionale dhe komplementare në trajtimin e sëmundjeve dhe problemeve të ndryshme në mjekësi si diabeti, obesiteti, sëmundjet kardiovaskulare, alergjitë, kanceri, dhimbja kronike, varshmëria; mjekësia tradicionale dhe komplementare në neurologji e psikologji, në mjekësinë preventive, njofton Klan Kosova.
Gjithashtu, në këtë kongres, është diskutuar edhe për Strategjinë në fuqi të OBSh-së për mjekësinë tradicionale 2014-2023.
Gjatë pjesëmarrjes në këtë kongres, sekretari Bardiqi, ka takuar edhe ministrin e Shëndetësisë të Republikës së Turqisë, Fahrettin Koca, si dhe ka zhvilluar takime edhe me zëvendësministren e Shëndetësisë të Turqisë, Emine Alp Meşe, me të cilën janë trajtuar aspektet e bashkëpunimit në shëndetësi midis dy shteteve.
Në mbështetje të bashkëpunimit midis dy shteteve në shëndetësi që realizohet në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit, do të jetë zëvendësministrja Emine Alp Meşe, ajo që do të udhëheq një ekip prej rreth 30 ekspertëve të fushave mjekësore, të cilët do të vijnë në muajt në vijim në Kosovë, në kuadër të Javës së shëndetësisë kosovare – turke, për të përkrahur fuqizimin e shërbimeve ekzistuese shëndetësore dhe hapjen e shërbimeve të reja shëndetësore në Kosovë.
/Epoka e re/