Kosova dhe Turqia me marrëveshje në sektorin e bujqësisë
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, me ftesë të Ministrit të Bujqësisë së Turqisë, Ahmet Eşref Fakibaba, po merr pjesë në edicionin e 13-të të Panairit Ndërkombëtar për Bujqësi dhe Blegtori, i cili po mbahet në Izmir të Turqisë.
Në hapje të panairit kanë marrë pjesë edhe ministra e zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë nga vende të ndryshme të botës.
Ndërkohë, ministri Rikalo është takuar me homologun e tij turk, Ahmet Eşref Fakibaba. Të dy ministrat biseduan për mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në mes të dyja vendeve.
Gjatë këtij takimi të dy ministrat janë pajtuar për nënshkrimin e një marrëveshje tregtare për eksportin e produkteve kosovare me origjinë shtazore dhe bimore, si dhe bagëtive të ndryshme në Turqi.
Në ditët në vazhdim, ata janë pajtuar që të formojnë edhe grupet punuese për jetësimin e kësaj marrëveshje në mes të dyja vendeve. Ministri e falënderoi homologun turk për gatishmërinë e treguar në vazhdimësi që të ndihmojë Kosovën në zhvillimin e mëtutjeshëm në sektorin e bujqësisë dhe theksoi se me realizimin e kësaj marrëveshje hapet një epokë e re e zhvillimit të sektorit bujqësor në mes të dyja shteteve. Nga ana tjetër, ministri Fakibaba shprehi gatishmërinë që krahas kësaj marrëveshje, do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për Kosovën në fuqizimin e mëtejmë të këtij sektori.
Po ashtu, ministri Rikalo është takuar edhe me Ministrin e Bujqësisë të Irlandës, me të cilin kanë diskutuar edhe për mënyrat e bashkëpunimit në mes të dyja, e në veçanti në fushën e edukimit dhe trajnimit të fermerëve në fusha të ndryshme të bujqësisë. Të dy ministrat u pajtuan që të ketë komunikim të vazhdueshëm në mënyrë që të shihen mundësitë për projekte konkrete të bashkëpunimit. Po gjatë kësaj kohe, ministri është takuar edhe me ministrin e Bujqësisë të Katarit, me të cilin kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në mes të dyja vendeve në sektorin e bujqësisë.
Gjatë kësaj vizite, ministri Rikalo, i cili është i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, Kapllan Halimi dhe Drejtori i Departamentit të Analizave Ekonomike dhe Statistikave Bujqësore, Ekrem Gjokaj, kanë realizuar takime me përfaqësues institucionesh të vendeve të ndryshme të botës, si dhe përfaqësues tjerë të biznesit, me qëllim të hapjes së mundësive për bashkëpunim mes tyre dhe prodhuesve nga Kosova.