Kosova dhe Turqia zotohen për forcim të marrëdhënieve në politikën e jashtme
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Fuat Oktay po qëndron për vizitë në Kosovë.
Ai është pritur të martën në takim nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Në takim u diskutua për çështje të rëndësishme të interesit të përbashkët, bashkëpunimin ndërparlamentar, ekonomik e tregtar dhe në fushën e politikës së jashtme, si dhe u këmbyen pikëpamje rreth zhvillimeve të fundit rajonale dhe aktualiteteve në skenën ndërkombëtare.
Po ashtu biseda u fokusua në marrëdhëniet e veçanta dhe miqësore, që karakterizojnë dy vendet tona, dhe u shpreh vullneti i dyanshëm për t’i intensifikuar ato në të gjitha fushat e mundshme të bashkëpunimit.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i parlamentit turk, i cili deri para pak muajsh ka shërbyer si zëvendëspresident i Turqisë, Fuat Oktay e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe ritheksoi gatishmërinë për fuqizimin e raporteve të ndërsjella, si dhe vazhdimin e mbështetjes së shtetit të tij ndaj Republikës së Kosovës.
Ndërkaq Konjufca vlerësoi lart dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë Kosovës para dhe gjatë luftës, si dhe gjatë procesit të shtetformimit, shtetndërtimit dhe anëtarësimit në institucione e organizata ndërkombëtare.
Njëherësh e njoftoi Oktayn në lidhje me punën dhe prioritetet e legjislativit, zhvillimin e gjithmbarshëm dhe sfidat e shtetit tonë në rrugëtimin integrues.
Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, i prirë nga kryetari Fuat Oktay, u pritën në takim edhe nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, i Kuvendit të Kosovës.
Në këtë takim, kryesuar nga kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, u vunë në dukje raportet shumë miqësore ndërmjet të dyja vendeve, dhe gatishmëria për thellimin e më tejmë të tyre.
Me këtë rast, kryetarja e Komisionit, Kryeziu-Hyseni, nënvizoi fushat e bashkëpunimit me interes për të dyja vendet, ndërkaq, kërkoi përkrahje edhe më të madhe, në mënyrë që Kosova të arrijë anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
Mysafirët nga Turqia i përshëndeti dhe iu uroi mirëseardhje edhe nënkryetari i Komisionit, Xhavit Haliti, i cili po ashtu foli për raportet ndërmjet të dyja vendeve dhe kujtoi ndihmën e ofruar nga Turqia për vendin tonë.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, Fuat Oktay, pasi përshëndeti nikoqirët dhe i falënderoi ata për pritjen e ngrohtë, foli për angazhimet e së ardhmes.
Ai vlerësoi se takimet si ky i sotmi, duhet të vijojnë dhe të intensifikohen edhe më shumë, ndërkaq, u shpreh se ndihma për Kosovën do të jetë e pa kursyer në të gjitha fushat.