Kosova dhe Tuvalu nënshkruajnë rikonfirmimin e marrëdhënieve miqësore
Ministri i Jashtëm i Tuvalus Simon Kofe dhe ambasadori i Republikës së Kosovës Dr. Sabri Kiçmari, kanë nënshkruar sot Komunikatën e Përbashkët për ri konfirmimin e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve.
Në tekstin e Komunikatës së përbashkët, ndër të tjera, thuhet se të dy vendet angazhohen për ri konfirmimin e marrëdhënieve diplomatike, të bazuara në të drejtën ndërkombëtare, në lidhje me barazinë ndërmjet shteteve, sovranitetin kombëtar dhe paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Të dy shtetet e njohin gjithashtu ndryshimin e klimës si një kërcënim ekzistencial për Tuvalun dhe një problem të përbashkët global.
Ministri i Jashtëm i Tuvalus z. Simon Kofe në ceremoninë e nënshkrimit ka përcjellë konsideratat më të larta për Qeverinë dhe popullin e Kosovës duke deklaruar se nënshkrimin e Komunikatës së Përbashkët e konsideron si moment të rëndësishëm miqësie në mes të dy vendeve.
Ambasadori Kiçmari e ka falënderuar ministrin e jashtëm të Tuvalus për mikpritjen dhe ndjenjat e miqësisë të shprehura nga ai dhe Qeveria e Tuvalus, duke premtuar angazhimin e tij për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë.