Kosova dhe Zvicra me memorandum për parandalimin e torturës
Komisioni Kombëtar Zviceran për Parandalim të Torturës dhe Institucioni i Avokatit të Popullit kanë nënshkruar të mërkurën një memorandum të mirëkuptimit për monitorim të përbashkët të operacioneve të kthimit me forcë ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.
Kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë për të dy institucionet, pasi është marrëveshja e parë ndërkombëtare në kuadër të së cilës është Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës për Kosovë.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, të gjitha palët kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në çështje të interesit të përbashkët.
Ky memorandum i mirëkuptimit përcakton kornizën e bashkëpunimit ndërmjet Komisionit Kombëtar për Parandalim të Torturës dhe Institucionit të Avokatit të Popullit, të cilët veprojnë si Mekanizma Kombëtar për Parandalim të Torturës lidhur me monitorimin e përbashkët të operacioneve të kthimit me forcë ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.
Përmes këtij memorandumi, palët bien dakord që të bashkëpunojnë për së afërmi dhe do të konsultohen me njëra tjetrën në çështje të interesit të përbashkët me qëllim të arritjes së qëllimit të përbashkët, që të sigurohen që të kthyerit janë trajtuar mirë nga policia zvicerane gjatë operacionit të kthimit dhe që ata të trajtohen mirë në mënyrë humane që nga momenti i dorëzimit tek autoritetet policore të Kosovës në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës.
Procesi i monitorimit do të përfshijë fazën e dorëzim-pranimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, procedurat hyrëse në pikën kufitare të zbatuara nga Policia e Kosovës, shërbimet mjekësore, çdo procedurë tjetër vlerësimi, si dhe dërgimin në qendrën e mbajtjes nëse zbatohet.
/Epoka e re/