Kosova do ta intensifikojë dinamikën e zbatimit të MSA-së dhe të projekteve të BE-së
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur të martën në takim, shefin e Seksionit të Bashkëpunimit të Bashkimit Evropian (BE) me Kosovën, Luigi Brusa, me të cilin ka diskutuar për fuqizimin e bashkëpunimit.
Ministrja Hoxha ka theksuar se një nga sferat më të rëndësishme të bashkëpunimit, është ngritja dhe aftësimi i kuadrit.
“Një nga programet më të frytshme të këtij bashkëpunimi me BE-në, është ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe shembull për këtë është Skema Young Cell, e cila ka zgjuar interesim të madh në mesin e të rinjve. Programi ka dëshmuar vlefshmëri për institucionet, duke u bërë nivel i lakmueshëm për të rinjtë dhe integrimin e tyre në institucione pas shkollimit. Ne kemi edhe shumë projekte të cilat, përafrojnë vendin tonë me vlerat evropiane, nëpërmjet fondeve të IPA-s, dhe fondet tjera për procesin integrues”, ka thënë ministrja Hoxha, duke shtuar se institucionet e Kosovës me përkushtim janë duke zbatuar MSA-në, Reformat nga Agjenda Evropiane dhe reformat e tjera.
Ndërkaq shefi i Seksionit të Bashkëpunimit të Bashkimit Evropian me Kosovën, Luigi Brusa, ka vlerësuar lartë përkushtimin e ministrisë Hoxha për zbatimin e MSA-së dhe ERA-s, duke rikonfirmuar gatishmërinë e asistencës për programet e rëndësishme në procesin integrues.
Hoxha dhe Brusa u dakorduan që të intensifikohet dinamika e zbatimit të MSA-së, ERA-s dhe projekteve të financuara nga BE-ja të cilat janë shumë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe mirëqenien e tyre.
/Epoka e re/