“Kosova do ta ketë mbështetjen e vazhdueshme të BE-së”
Komisioni për Integrim Evropian, kryesuar nga Rrezarta Krasniqi, kryetare, në bashkëpunim me Institutin EPIK, ka mbajtur të mërkurën tryezë diskutimi me temën “Presidenca Franceze e Këshillit të Bashkimit Evropian”.
Moderatori i kësaj tryeze, drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka potencuar se kjo tryezë, ashtu si edhe ato që janë zhvilluar deri më tani nga ky komision, kanë për qëllim që të vejnë në pah rëndësinë e procesit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian.
Ai ka thënë se Presidenca Franceze e Këshillit të Bashkimit Evropian e ka paraqitur qartazi strategjinë e saj sa u përket shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe se gjatë periudhës gjashtëmujore të lidershipit të këtij Këshilli, pritet që të vihet në praktikë.
Ndërsa, kryetarja Krasniqi, duke iu referuar bashkëpunimit të deritanishëm mes Kosovës dhe BE-së, si dhe duke u thirrur në unanimitetin e të gjithë spektrit politik të Kosovës karshi procesit të integrimit në BE, këtë tryezë e vlerësoi si mundësi për të shoshitur më tej diskutimet përkitazi me këtë proces, si dhe për të intensifikuar marrëdhëniet Kosovë-BE.
Në anën tjetër, për t’i dhënë një kornizë të përgjithshme diskutimi, ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel, si dhe shefi i Zyrë së BE-së Tomaas Szunyog, thanë se Ballkani Perëndimor, më konkretisht Kosova, është pjesë e agjendës gjashtëmujore e lidershipit francez.
Sipas tyre, tranzicioni digjital, i gjelbër/ekologjik dhe socializimi, janë tri nga prioritetet kryesore të kësaj periudhe udhëheqëse dhe se për të gjitha këto Kosova do të ketë mbështetjen e vazhdueshme nga ana e Bashkimit Evropian.
Tutje, komisioni vazhdoi punën me diskutime të pjesëmarrësve të tjerë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të organizatave ndërkombëtare me mision në Kosovë.