Kosova do ta sigurojë vaksinën për Covid-19 përmes Bankës Botërore
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka bërë me dije se Kosova do ta sigurojë vaksinën kundër Covid-19, kurdo që ajo të jetë e gatshme, përmes Bankës Botërore.
Në një konferencë për media të premten, pas mbledhjes së qeverisë, Bajrami ka thënë se vaksina do të sigurohet përmes kredive nga Banka Botërore.
“Ne jemi në negociata me Bankën Botërore që të hyjmë në një projekt të sigurimit të vaksinës anti-Covid, dhe me këtë do të jemi ndër vendet e para që do ta marrim sapo të dalë kjo vaksinë”, është shprehur Bajrami.
Ajo ka shtuar se në takimin e fundit me Bankën Botërore, me pjesëmarrjen e më shumë se 50 shteteve – u është bërë një prezantim i një numri të madh të vaksinave.
“Kjo është një pako e vaksinave që Banka Botërore do ta blejë për një numër të madh të shteteve nuk do të bëhet prokurim specifik për Kosovën, por do të jetë për një numër të madh të shteteve. Banka Botore është bankë dhe kjo do të bëhet përmes kredive dhe jo përmes donacioneve, mirëpo kushtet janë të favorshme”, ka deklaruar ministrja Bajrami.