Kosova do të nisë negociatat për tregti të lirë me vendet joanëtare të BE-së
Kosova do të nis negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë me vendet e Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë (EFTA).
Raundi i parë i negociatave pritet të nisë në fund të muajit gusht 2022, siç ka njoftuar ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila ka zhvilluar takime me disa ministra të shteteve anëtare të EFTA-s, në Borgarnes të Islandës.
EFTA është themeluar në vitin 1960 si një alternativë e Bashkimit Evropian dhe është një organizatë botërore për tregti që sot ka katër shtete anëtare: Norvegjinë, Zvicrën, Lihtenshtajnin dhe Islandën.
Në fjalën e saj, Hajdari ka dhënë zotimin e Kosovës për krijimin e një mjedisi afarist që do ta bëjë Republikën e Kosovës një destinacion më konkurrues në Evropën juglindore.
Ministrja ka thënë se finalizimi sa më i shpejtë i kësaj marrëveshjeje është i një rëndësie të madhe për Kosovën, pasi shkëmbimet tregtare me vendet e EFTA-s, veçanërisht me Zvicrën dhe Norvegjinë, janë vazhdimisht në rritje dhe kanë një bilanc të dukshëm pozitiv tregtar për mallra dhe shërbime.
Hajdari ka thënë se në takim ka paraqitur edhe treguesit e performancës së vendit tonë ku kemi shënuar si asnjëherë më parë rritje ekonomike, rritje të treguesve të demokracisë, lirisë së të shprehurit dhe përpjekjet për të forcuar shtetin e së drejtës, me qëllimin për të siguruar një të ardhme më të ndritur për shoqërinë tonë, rininë tonë.
“Përfundimi i kësaj marrëveshjeje është jetik për Republikën e Kosovës dhe synon zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s, duke u fokusuar në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve të bazuara në interesa të përbashkëta në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe investimeve”, ka thënë Hajdari, siç njofton faqja zyrtare e EFTA-s.
Hajdari atje ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është jetik për Kosovën në aspektin politik sa i përket partnerëve të tjerë tregtarë dhe investitorëve të huaj dhe dua të konfirmoj edhe një herë se një qëndrim i tillë sot paraqet një vendim të rëndësishëm në hapjen e ekonomisë kosovare drejt mundësive të reja zhvillimore.
Ministrja Hajdari këtu ka përmendur edhe diasporën e Kosovës në këto shtete, të cilën e ka cilësuar si thesar. Megjithatë, ajo ka thënë se diaspora është thesar më i vogël krahasuar me popullsinë në Kosovë, e cila është nën 35 vjeç dhe “për këtë arsye puna jonë dhe angazhimi i qeverisë është që të sigurojë një progres të mirë për të ardhmen e popullit tonë, të rinisë sonë dhe për dërgesat e diasporës sonë për t’i sjellë ata të investojnë”.
Por, cilat janë marrëdhëniet ekonomike ndërmjet shteteve të EFTA-s dhe Kosovës deri tash?
Tregtia dypalëshe e mallrave EFTA-Kosovë është rritur me shpejtësi që nga viti 2002 dhe ka arritur në më shumë se 127 milionë dollarë në vitin 2021. Eksportet kryesore të EFTA-s në Kosovë në vitin 2021 ishin automjetet, duhani dhe produktet farmaceutike. Në të njëjtin vit, importet e mallrave nga Kosova përbëheshin kryesisht nga mobilje, plastika dhe artikuj prej hekuri dhe çeliku.
Shtetet e EFTA janë tregtari i trembëdhjetë më i madh i mallrave në botë dhe tregtari i tetë më i madh në shërbimet tregtare, si dhe aktorë të rëndësishëm në investimet e huaja direkte. Përveç Zonës Ekonomike Evropiane (ZEE) dhe marrëveshjeve dypalëshe Zvicër-BE, EFTA ka 29 marrëveshje të tregtisë së lirë (FTA) me gjithsej 40 vende partnere në mbarë botën.