Kosova drejt shoqërisë së Big Brother-it: Nga antivlerat televizive te mungesa e alternativave politike

19 janar 2025 | 11:25

Shkruan: Astrit Gashi

Big Brother është një emision televiziv, ku pjesëmarrësit nuk përfaqësojnë as vendin, as rajonin, madje as familjet e tyre. Në Kosovë dhe Shqipëri, ky format ka degraduar në mënyrën më të keqe, duke promovuar figura që shpesh shquhen për sjellje të papërshtatshme dhe për një mungesë të thellë të vlerave shoqërore e kulturore.

Personazhet më të ndjekur janë ata që sjellin kaos, përplasje dhe drama, duke dhënë mesazhin se konflikti dhe sjellja e padenjë janë rruga drejt famës. Kjo atmosferë jo vetëm që i largohet realitetit të përditshëm të shumicës, por sulmon edhe vlerat familjare dhe shoqërore. Në mungesë të emisioneve cilësore argëtuese apo edukative, ky “reality show” ka pushtuar ekranet dhe përditshmërinë tonë.

Është e paqartë se çfarë përfiton publiku nga një program i tillë. Përkundrazi, formate të tilla promovojnë sjellje të papranueshme dhe i japin hapësirë antivlerave, duke ndikuar negativisht në moralin dhe zhvillimin kulturor të shoqërisë. Organizatorët përfitojnë financiarisht nga ky fenomen, duke shfrytëzuar individë që shpesh përballen me sfida personale ose sociale. Big Brother-i nuk është as platforma, as vendi i duhur për të adresuar këto çështje.
Duke shtrirë ndikimin e tij në çdo aspekt të jetës së përditshme – nga bisedat në kafene deri te rrjetet sociale – ky program ka njëllosur hapësirën publike dhe ka vendosur një standard të ri, ku antivlerat dominojnë. Në vend që të promovohen edukimi, kultura dhe përmbajtjet cilësore, shoqëria jonë ka rënë pre e spektakleve të këtij lloji.
Fushata zgjedhore në hijen e Big-ut

Ndërkohë, jemi në javën e dytë të fushatës për zgjedhjet nacionale në Kosovë, por debati politik është pothuajse i heshtur. Kandidatët nuk po vlerësohen për programet e tyre apo për vizionin që ofrojnë për katër vitet e ardhshme. Ironikisht, një nga fituesit e formatit Big Brother tashmë gjendet në listën e një partie politike.

Në këtë fushatë të lodhur, disa parti përpiqen të mbledhin vota duke premtuar një “puls të ri,” duke lënë të kuptohet se deri më tani skena politike ka qenë e vdekur. Disa të tjerë kërkojnë vota cep më cep dhe përpiqen të bindin qytetarët se janë alternativa më e mirë për Kosovën. Ndërkohë, shumë qytetarë shpresojnë për ndryshim, por një pjesë e madhe mbetet e zhgënjyer dhe e pavendosur. Për fat të keq, njerëzit me vlera të vërteta dhe potencial për ndryshim duket se qëndrojnë jashtë këtyre garave.

Kosova ka nevojë për një kthesë të madhe. Për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe me vlera të mirëfillta, duhet të kërkojmë përfaqësues që reflektojnë aspiratat më të larta të qytetarëve për të ndalur migrimin masiv dhe jo trendet kalimtare të spektakleve televizive.

Është koha që mediat të promovojnë përmbajtje cilësore dhe debate të vlefshme. Është koha që qytetarët të kërkojnë llogari nga politikanët dhe të refuzojnë formatet e dëmshme që ushqejnë antivlerat. Dhe mbi të gjitha, është koha të reflektojmë mbi pyetjen thelbësore: Si mund ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për vendin tonë, ku vlerat, integriteti dhe meritokracia të jenë shtyllat kryesore të shoqërisë sonë?

Pse nuk kemi emisione edukative dhe sfiduese që testojnë njohuritë dhe aftësitë tona? Pse të mos rikthehet një format si “Kush do të bëhet milioner?” ku të gjithë do të fitonim diçka: disa dije, disa të tjera shpërblime financiare.
Në vend të kësaj, jemi kthyer në një shoqëri ku gara kryesore duket të jetë kush do të largohet i pari nga vendi. Në këtë shoqëri të modeluar nga Big Brother-i, qytetarët kanë humbur besimin në politikën e mirëfilltë dhe po kërkojnë rrugë të tjera, shpesh jashtë Kosovës.

Sot është momenti të ndalemi dhe të pyesim veten: Si mund të krijojmë një Kosovë ku vlerat dhe potenciali njerëzor të jenë prioritet? Si mund të sigurojmë që zgjedhjet të reflektojnë aspiratat dhe nevojat e qytetarëve, e jo influencat e përkohshme të një kulture që promovon antivlerat?

Përgjigjja qëndron te përkushtimi i secilit prej nesh për të bërë ndryshimin – përmes zgjedhjes së drejtë, refuzimit të antivlerave dhe angazhimit për një të ardhme më të mirë.
Apo Kosovës i ka ikë truri dhe tashmë jemi shendrruar në një shoqeri të Big Brotherit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka formuar Degën e saj…