Kosova duhet të kërkojë sqarime për deklaratat e Dick Martyt për trafikim organesh

13 prill 2022 | 15:20

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK) ka kërkuar nga Gjykata Speciale që ish-senatori Dick Marty të ftohet si dëshmitar pas deklarimeve të këtij të fundit se ka qenë cak i një atentati nga shërbimi sekret serb.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVLUÇK-së, Faton Klinaku u ka bërë thirrje autoriteteve të shtetit të Kosovës që të ngrenë në instanca ndërkombëtare deklarimet e ish-raportuesit në Këshillin e Evropës, Dick Marty, se është kërcënuar me vrasje nga shërbimi serb e që synonte t’i fajësonte shqiptarët.

“Nuk është hera e parë që Serbia mundohet t’ua veshë shqiptarëve të gjitha të këqijat që i ka bërë. Ka pas shumë ngjarje tjera, si rasti ‘Panda’ që i ka vrarë vetë fëmijët dhe është munduar t’ua veshë pjesëtarëve të UÇK-së apo rasti i Martinoviqit me shishen e famshme që gjoja shqiptarët e paskan dhunuar. Serbia si shtet e pushtues vazhdimisht ka bë këso inskenime e ngjarje e është munduar t’ua veshë shqiptarëve. Shteti i Kosovës sot s’do të duhej të heshtte. Qoftë Qeveria, Kuvendi apo Presidenca. Sidomos tash kur gjoja po kërcënohet nga shërbimi serb, e ta ngrejë si çështje në takime me organizmat ndërkombëtarë sepse është luftë kundër Kosovës dhe UÇK-së”, ka thënë Klinaku.

Më tutje, ai ka thënë se nga Shqipëria presin që të iniciojë rezolutë të re në Këshillin e Evropës për ta hedhur poshtë raportin e Dick Martyt me të cilin UÇK-ja akuzohej për trafikim organesh.

Klinaku ka thënë se Kuvendi i Kosovës, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) është dashur të kërkojë sqarime shtesë Parlamenti Evropian rreth akuzave të Martyt për të ashtuquajturën “Shtëpia e verdhë”, në të cilën është supozuar se janë kryer trafikim me organe.

“Dhe nuk është bërë asnjë hetim. Mendoj se me deklarimet e Dick Marty parlamenti është dashur që përmes ministrisë së Punëve të Jashtme të kërkojë nga parlamenti evropian të sqarohen pretendimet e tij ndaj “shtëpisë së verdhë”. Gjykata Speciale është dashur ta ftoj si dëshmitar Dick Marty dhe të sqaroj nga kush është paguar. Parlamenti të kërkojë nga ministrja e Punëve të Jashtme siç është një ministre që atakon luftën. Liderët dhe ata që organizuan luftën padrejtësisht po qëndrojnë në Hagë në një gjykatë të cilën ne si organizatë nuk e njohim”, ka thënë Klinaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tenistja belge Kim Clijsters, ish-numri 1 në botë për femra…