Kosova duhet të reflektojë ndaj kërkesave të ShBA-së
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë se Kosova duhet të reflektojë ndaj kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA-së).
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta pezullojë taksën ndaj Serbisë në mënyrë që t’i jepet mundësia procesit të dialogut dhe arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”,
Hoti ka vlerësuar se taksa ka pasur efekt dhe tani është koha për një reflektim të përbashkët të partnerëve të koalicionit për ta pezulluar taksën për një periudhë të caktuar duke e ruajtur interesin strategjik, që është miqësia me ShBA-në.
Sipas tij, Kosova nuk ka mundur dhe nuk mund të ecë më tutje pa mbështetjen e fuqishme të ShBA-së
“Epoka e re”: Profesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë pezullimin e taksës ndaj Serbisë. Edhe në letrën e fundit të saj drejtuar liderëve shtetërorë, thuhet se Amerika është e befasuar që Kosova nuk po i merr parasysh sugjerimet amerikane. Si e komentoni këtë letër dhe situatën e krijuar?
Hoti: Kemi të bëjmë me një situatë shumë serioze dhe me një ftesë po aq serioze të ShBA-së për lidershipin politik në Kosovë. Ftesa është racionale sepse vendimi i autoriteteve të Kosovës për vendosjen e taksës ka qenë parimor dhe, pa asnjë dilemë, supozohet se ka pasur efekt dhe ka arritur objektivat. Mbi bazën e këtij rezultati është e rrugës që të reflektohet në veçanti kur kemi të bëjmë me një thirrje të ShBA-së që është partneri dhe aleati strategjik i Kosovës, në mënyrë që përmes një pezullimi t’i jepet një mundësi palës tjetër që të reflektojë në atë që njihet si marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kjo marrëveshje nënkupton edhe plotësim të kushteve dhe të kritereve që Kosova ka për Serbinë.
“Epoka e re”: Pas sugjerimeve, kërkesave si dhe ‘kërcënimeve’ të Amerikës për shqyrtimin e bashkëpunimit me Kosovën në fushën e sigurisë dhe në aspekte të tjera, është momenti i fundit për reflektim të Kosovës për ta gjetur formën e duhur për pezullimin e taksës?
Hoti: Është i logjikshëm dhe i arsyeshëm pozicioni amerikan që, nëse Kosova nuk reflekton në kërkesat e saj, atëherë është e pritshme se ShBA-ja do ta shqyrtojë pozicionin e vet në raport me Kosovën. Është detyrë e lidershipit politik të Kosovës ta masë çështjen e interesit kombëtar nëse na duhet apo jo ShBA-ja për të ecur më tutje. Në këtë drejtim nuk ka asnjë dilemë dhe situata është shumë e qartë. Kosova nuk ka mundur dhe nuk mund të ecë më tutje pa një mbështetje të fuqishme të ShBA-së siç e kemi pasur deri tani. Prandaj Kosova duhet të reflektojë, t’i jepet mundësia procesit të dialogut dhe të ruhet me gjakftohtësi raporti dhe miqësia jonë e përhershme me ShBA-në. Kosova nuk do të mbetet pa mbështetjen e ShBA-së sepse, pavarësisht prej lidershipeve apo klasave të caktuara politike, orientimi i qytetarëve të Kosovës është pro amerikan dhe nuk kam asnjë dilemë se kështu do të mbetet edhe në të ardhmen. Lidershipi aktual duhet të zgjedhë nëse dëshiron ta shtyjë procesin përpara, sepse Kosova me apo pa këtë lidership do të mbetet amerikane.
“Epoka e re”: Pozicionimi i kryeministrit Haradinaj, që taksa të mbetet në fuqi, a po i rrezikon raportet me Amerikën?
Hoti: Pozicioni dhe vendimi i kryeministrit është logjik deri më tani sepse Serbisë është dashur t’i jepet një përgjigje e tillë pas gjithë atyre veprimeve destruktive dhe aksioneve kundër Kosovës. Taksa nuk ka qenë dhe nuk duhet të interpretohet si aksion i Kosovës, por duhet të interpretohet si reaksion i Kosovës për veprimet e Serbisë. Edhe në kuptimin e brendshëm, pra në kuptimin e zhvillimit të ekonomisë dhe të konsolidimit të shtetit, taksa ka pasur efekt, por edhe në kuptimin e jashtëm qeveria aktuale, bashkë me kryeministrin, kanë treguar vendosmëri dhe kanë mbajtur në fuqi këtë vendim me peshë dhe përmasa kombëtare. Megjithatë, tani është çështja e balancimit dhe matjes në mes të ecjes më tutje pa amerikanët apo lëshimit pe për pezullimin e taksës dhe të bashkëpunimit me amerikanët si partnerët tanë strategjikë. Në kuptimin politik dhe ekonomik ka të drejtë kryeministri, kurse në kuptimin strategjik duhet të bëhet një përllogaritje dhe të shihet se cili është interesi i Kosovës. Në këtë drejtim besoj se Qeveria e Kosovës do të reflektojë pozitivisht duke e pezulluar taksën për kohë të caktuar. Ky pezullim nuk nënkupton heqje të taksës, por dhënie mundësi palës tjetër që të reflektojë në atë që njihet si marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe në mesin e kushteve do të jetë edhe njohja e Kosovës.
“Epoka e re”: Si e shihni qëndrimin jo unik të partnerëve të koalicionit për këtë çështje?
Hoti: Çështja ka qenë pak më e zbutur dhe partnerët e koalicionit kanë treguar vendosmëri në vendimet e veta dhe nuk ka qenë i vetmuar as kryeministri Haradinaj siç nuk duhet të jetë as tash. Pra, duhet të kemi reflektim të përbashkët, jo vetëm të kryeministrit, por edhe të partnerëve të tjerë të koalicionit, që t’i jepet mundësia procesit dhe paqes, duke e ruajtur interesin tonë strategjik, që është miqësia me ShBA-në.
“Epoka e re”: Ditë më parë kryeministri ka thënë se pranon të shkojë në shtëpi dhe nuk e heq taksën. Kjo çështje mund të çojë në rrëzimin e Qeverisë?
Hoti: Ato janë qëndrime politike të liderëve por, nisur nga vullneti qytetar, jam i bindur se taksa do të pezullohet për një kohë të caktuar.
“Epoka e re”: Z. Hoti, kryeministri po insiston që vazhdimi i dialogut të mos kushtëzohet me pezullimin e taksës, nga ana tjetër presidenti është pro heqjes së taksës dhe vazhdimit të dialogut. Përveç kësaj, Thaçi dhe Haradinaj kanë qëndrime të kundërta edhe sa i përket idesë për korrigjimin e kufirit me Serbinë. Si e komentoni këtë dhe, duke pasur parasysh këto qëndrime, sa ka gjasa të arrihet marrëveshja përfundimtare dhe të jetë në përputhje me interesat e Kosovës?
Hoti: E drejta e brendshme dhe e drejta ndërkombëtare sot kanë pozita krejtësisht të ndryshme njëra me tjetrën dhe në trendin aktual të zhvillimeve nuk do koment që bashkësia ndërkombëtare tani edhe në mënyrë më të dukshme ka rol, peshë, rëndësi dhe përmasa shumë më të fuqishme se në të kaluarën. Mbi këtë bazë, përtej deklarimit të kryeministrit dhe presidentit, kemi një thirrje të komunitetit ndërkombëtar, ku pjesë përbërëse kundër vendimit për taksën është edhe ShBA-ja dhe për mua kjo është më shumë sesa indikative. Është e pakontestueshme se duhet të kemi unifikim të qëndrimeve të lidershipit tonë politik dhe veprimet tona t’i bashkërendojmë me shtetet e caktuara në BE, në veçanti me ShBA-në. Amerikanët nuk janë vetëm partnerët e Kosovës, por janë bashkëpronarët e lirisë dhe të pavarësisë. Janë sponsorë dhe projektues të pavarësisë së Kosovës, prandaj është paradoksale të mendohet e lërë më të veprohet në ecjen më tutje pa amerikanët. Veprimet tona duhet t’i konsolidojmë dhe t’i bashkërendojmë me amerikanët dhe me këshillat e tyre Kosova do të ketë perspektivë dhe të ardhme të sigurt.
“Epoka e re”: Jeni optimist se do të mund të arrihet marrëveshja përfundimtare dhe cila do të jetë përmbajtja e saj?
Hoti: Jam optimist se do të kemi marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe tani është e pamundur të dihet përmbajtja e saj. Mendoj se do të kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe një njohje reciproke Kosovë – Serbi. Si duket kjo ka bekimin e fuqive të mëdha duke filluar nga Strategjia për zgjerim e proklamuar vitin e kaluar nga BE-ja që u jep për detyrë Kosovës dhe Serbisë që të kenë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme dhe bekimin amerikan që 2019-ta të jetë vit i arritjes së kësaj marrëveshje dhe zgjidhjes përfundimtare të problemit në mes të dy vendeve.
“Epoka e re”: Prisni që në kuadër të kësaj marrëveshje të jetë edhe korrigjimi i kufirit, siç është thënë, Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, kurse veriu Serbisë?
Hoti: Nuk është opsion i pamundur sepse edhe retorika, por edhe struktura juridike ndërkombëtare për momentin lejon një gjë të tillë për aq kohë sa kemi pajtueshmëri në mes të shteteve të pavarura. Nëse Kosova dhe Serbia dhe të dyja lidershipet mund të merren vesh për ta ndryshuar vijën kufitare, kjo është e mundur. Një gjë e tillë lejohet edhe me mekanizmat ndërkombëtarë, lejohet edhe nga akti final i Helsinkut i vitit 1975 që, mes të tjerash, promovon vetëm marrëveshje paqësore ose zgjidhjen e problemeve me bisedime dhe ndryshimin e kufijve vetëm me marrëveshje. Pra, mundësia ekziston, hapësira juridike e politike është e lejuar dhe e siguruar nga mekanizmat ndërkombëtarë. Varet vetëm nga reflektimi i vullnetit të lidershipeve përkatëse kombëtare.
Shqipe HETEMI