Kosova e 26-ta me hendbolliste, e 35-ta me hendbollistë

05 shkurt 2025 | 14:43

Federata Evropiane e Hendbollit ka publikuar të mërkurën ranglistën e ekipeve përfaqësuese për periudhë katërvjeçare.

Ranglista u publikua pas përfundimit të Kampionatit Botëror të hendbollistëve, të cilin e fitoi Danimarka.

Sa i takon Kosovës, pozitë më të mirë ka përfaqësuesja e hendbollisteve.

Renditet në vendin e 26-të në Evropë me 17,25 pikë, që i mblodhi me rezultate në kualifikimet për katër ngjarjet e mëdha.

Prapa Kosovës është edhe Rusia, por që momentalisht është e suspenduar nga garat ndërkombëtare. Prapa janë edhe përfaqësuese si Ishujt Faroe, Finlanda, Izraeli, Luksemburgu, Bosnjë-Hercegovina, Lituania, Letonia, Azerbajxhani, Bullgaria, Britania e Madhe dhe Qipro. 11 vende evropiane janë në fund të listës, por pa pikë në mungesë të garave.

Norvegjia është e para te hendbollistet, e përcjellë nga Franca, Danimarka, Suedia e Holanda.

Me Suedinë, njërën prej përfaqësueseve më të mira në botë, Kosova luan pas dy muajsh.

Te hendbollistët, përfaqësuesja e Kosovës është e 35-ta me 14 pikë.

Letonia, Rusia (e suspenduar), Qipro, Bullgaria, Bjellorusia (e suspenduar), Britania e Madhe, Moldavia, Azerbajxhani, Irlanda e Malta janë prapa Kosovës. Në listë janë 50 përfaqësuese, katër prej tyre pa pikë pasi nuk u paraqitën në kualifikime.

E para është kampionia botërore, Danimarka, kurse pas saj janë Franca, Gjermania, Suedia e Kroacia.

Ekipet përfaqësuese të Kosovës në hendboll kanë pasur rezultate solide në vitet e fundit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kategorizimi i sporteve për vitin 2025 i shpallur javën e…