Kosova e 28-ta në ranglistën evropiane
Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll (femrat) renditet në vendin e 28-të në ranglistën evropiane. Është kjo një pozitë e mirë e Kosovës që kështu lë pas vetes plot 21 kombëtare tjera evropiane.
Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) ka publikuar këtë javë rangimin e kombëtareve të femrave, në prag të kualifikimeve për “Euro 2020”. Kjo ranglistë është valide për kampionatin e ardhshëm evropian dhe do të merret për bazë kur të hedhet shorti për kualifikime.
Kosova i ka 44 pikë dhe ndanë vendin e 28-të me Ishujt Faroe. Kosova ka lënë prapa në ranglistë Izraelin, Finlandën, Bullgarinë, Greqinë, Azerbajxhanin, Gjeorgjinë dhe shumë ekipe kombëtare tjera.
Është kjo një pozitë shumë e vlerësuar e Kosovës, që dëshmon për hapat para të bërë në tri vitet e fundit. Avancim i mëtejmë pritet këtë vit dhe në vitet e ardhshme. Më së shumti pikë Kosova ka mbledhur nga suksesi në kualifikimet për “Euro 2018”. Gjithsej 24 pikë i kanë takuar për atë sukses.
Në krye të ranglistës është Franca, pastaj Norvegjia, Holanda e Rusia.
“Euro 2020” do të luhet në Danimarkë e Norvegji. Vetëm këto dy kombëtare kualifikohen direkt, derisa 14 të tjera duhet të sigurojnë paraqitjen përmes kualifikimeve. Kualifikimet pritet të jenë në dy faza, por saktësisht do të mësohet pas 13 marsit, kur është afati i fundit për paraqitje të kombëtareve të interesuara. Pas përparimit në ranglistë, ka mundësi që Kosova të nis kualifikimet nga faza e dytë, por kjo do të qartësohet vetëm muajin tjetër. Shorti për fazën e dytë të kualifikimeve do të tërhiqet më 4 prill në Kopenhagë, ndërsa për fazën e parë gjatë muajit mars. Në fazën e dytë kualifikimet do të zhvillohen në 7 grupe nga katër ekipe. Dy të parët e secilit grup kualifikohen për evropian.
Faza e parë kualifikuese do të luhet prej 7 deri më 9 qershor të këtij viti, në formë turneu. Një turne të tillë Kosova e kishte fituar dy vite më parë kur në Prishtinë i mposhti Gjeorgjinë e Izraelin. Ndërkohë faza e dytë kualifikuese fillon më 25 shtator. Dy ndeshje luhen në shtator të këtij viti, dy tjera në mars të vitit 2020 dhe dy të fundit në maj të vitit 2020.