Kosova, e fundit në rajon për performancën në arritjet shkencore
Në draftin e Programit Kombëtar të Shkencës për vitet 2023-2028 theksohet se, për shkak të implementimit të pjesshëm të aktiviteteve të propozuara në Programin e vitit 2010, Kosova ka ngecur në shkencë. Në dokument theksohet se shteti mbetet shumë poshtë në krahasim me shtetet e rajonit, për nga numri i publikimeve, përfitimi i granteve shkencore në Horizon 2020, si dhe për nga numri i patentave/inovacioneve
Kosova është e fundit në rajon për nga performanca në arritjet shkencore, konstatohet në draftin e Programit Kombëtar të Shkencës, të cilin e ka hartuar Qeveria.
Programi i parë Kombëtar i Shkencës, i hartuar në vitin 2010, përmes pesë objektivave ambicioze që lidhen me zhvillimin e kapaciteteve njerëzore për veprimtari kërkimore shkencore, zhvillimin e infrastrukturës kërkimore, ndërkombëtarizimin e veprimtarisë kërkimore shkencore, forcimin e lidhjeve midis shkencës, shoqërisë dhe ekonomisë, si dhe promovimin e përsosshmërisë në veprimtarinë kërkimore-shkencore, ka përcaktuar kornizën mbështetëse për zhvillimin e shkencës në Kosovë. Megjithatë, implementimi i aktiviteteve të propozuara në këtë dokument ka qenë i pjesshëm.
“Si rezultat, performanca në arritjet shkencore e shprehur përmes: publikimeve, përfitimi i granteve shkencore në Horizon 2020 dhe numri i patentave/inovacioneve, ende mbetet shumë e ulët në krahasim me shtetet e tjera në rajon”, thuhet në draftin e Programit Kombëtar të Shkencës për vitet 2023-2028.
Edhe impakti i publikimeve nga Kosova për zhvillimin e shkencës në përgjithësi, i shprehur përmes Field Weight Citaton Index (FËCI), i cili merr parasysh numrin e citimeve, është nën mesataren e impaktit në nivel ndërkombëtar.
Sipas dokumentit, kjo pasqyrë e performancës së institucioneve shkencore të Kosovës është edhe pasojë e mosrealizimit të objektivave dhe implementimit të masave të propozuara nga Programi Kombëtar i Shkencës i vitit 2010.
“Në këtë drejtim mbetet ende shumë për t’u bërë në mënyrë që profili shkencor i Kosovës, për nga sasia dhe impakti shkencor, të mundësojë pjesëmarrje aktive në ERA”, thuhet në draft. “Raportet vlerësuese të progresit për çdo objektiv të PKSH 2010 tregojnë që progresi ka qenë shumë më i ulët sesa është planifikuar”.
Megjithëkëtë, sipas dokumentit, gjatë periudhës kohore që ka mbuluar Plani Kombëtar i Shkencës i vitit 2010, shihet një rritje e ndjeshme në numrin e publikimeve shkencore, edhe pse për nga numri dhe impakti i tyre është ende nën mesataren e nivelit ndërkombëtar.
“Kjo rritje e publikimeve është shpresëdhënëse pasi që tregon rritjen e interesimit të institucioneve shkencore në Kosovë për punë kërkimore shkencore. Pa dyshim, një prej arritjeve të PKSH 2010 është që i vë në pah barrierat për shkencë dhe inovacion në Kosovë dhe mungesën e mekanizmave efektivë për mbështetjen dhe vlerësimin e arritjeve shkencore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”, theksohet në dokument.
Pas analizave që janë bërë për llogari të Programit Kombëtar të ri të Shkencës, si dhe nga punëtoritë e mbajtura me punëtorë shkencorë dhe palët e tjera të interesit, Qeveria ka identifikuar tri sfida, të cilat e pengojnë zhvillimin e shkencës dhe inovacionit: Korniza ligjore joefikase dhe politika të padefinuara qartë për Kërkim Shkencor dhe Inovacion në Kosovë; Mekanizma joefektivë për mbështetje institucionale të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, duke përfshirë edhe buxhetin e ulët; dhe Produktivit i ulët i institucioneve për Kërkim Shkencor dhe Inovacion.
Në dokument Qeveria ka paraqitur vizionin, me të cilin synohet që institucionet shkencore të Kosovës të kenë pjesëmarrje aktive në programet vendore dhe ndërkombëtare dhe të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës. Në këtë kontekst synim kryesor i këtij programi është definuar “Rritja kualitative dhe kuantitative e rezultateve shkencore në nivel ndërkombëtar dhe gjenerimi i inovacioneve me impakt në zhvillimin ekonomik të vendit”.
Në dokument është theksuar se zbatimi i suksesshëm i Programit Kombëtar të Shkencës 2023-2028 është i një rëndësie të veçantë jo vetëm për zhvillimin e shkencës dhe të inovacionit në vend, por edhe për rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike dhe ballafaqimit me sfidat aktuale si digjitalizimi, shoqëria gjithëpërfshirëse, marrëveshja e gjelbër, energjia, shëndetësia dhe sfida të tjera. Prandaj, për të funksionalizuar këtë program Qeveria, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe institucionet e tjera, sipas draftit, duhet të sigurojnë një kornizë institucionale efikase dhe mbështetje financiare me kornizë buxhetore të planifikuar mirë si edhe rishikim buxhetor që u përgjigjet kërkesave dhe dinamikës kohore.
Në dekadën e kaluar në Kosovë, investimet në kërkime shkencore dhe inovacion kanë qenë dukshëm më të ulëta në krahasim me shumën e paraparë sipas Ligjit për Veprimtari Kërkimore Shkencore.
Në draft janë listuar edhe disa sfida që lidhen me përpilimin, projektimin dhe implementimin e buxhetit për zbatimin e Programit Kombëtar të Shkencës 2023-2028. Ato përfshijnë kapacitetin institucional të MASHTI-t për përpunimin e skemave dhe aktiviteteve të parapara, respektivisht menaxhimin dhe monitorimin e buxhetit të caktuar për përfituesit potencialë dhe zbatuesit e aktiviteteve, e edhe kapacitetin absorbues të përfituesve potencialë për të shfrytëzuar skemat dhe fondet me llogaridhënie dhe transparencë të plotë.
“Këto dy aspekte kanë ndikim të rëndësishëm në raportin ndërmjet planifikimit buxhetor dhe realizimit të buxhetit”, thuhet në dokument. “Bazuar në të dhënat e MASHTI-t aktualisht ekziston një kornizë buxhetore, respektivisht KASH – Kornizë Afatmesme e Shpenzimeve- për periudhën kohore 2021-2025 në një vlerë financiare prej € 371.683.035. Në kuadër të këtij planifikimi buxhetor, përveç aktiviteteve të tjera që përfitojnë mbështetje financiare ekziston edhe skema ‘Përmirësimi i Mjedisit për Kërkim dhe Inovacion’, d.m.th. aktivitete që lidhin në mënyrë specifike sfidat e shkencës dhe të kërkimit me ndarjet buxhetore për: Themelimin e Fondit për Shkencë, të paraparë në vlerë prej € 16.500.000 për periudhën 2021-2025; Financimi i statusit të asociuar të Kosovës në Horizon Evrope, në vlerë prej € 5.000.000 për periudhën 2021-2025; Krijimi i fondit të veçantë për bashkëfinancimin e projekteve kërkimore që janë rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për përgatitjen e projekteve të bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar në vlerë prej € 2.200.000 për periudhën 2021-2025”.
Gjatë planifikimit buxhetor për implementimin e dokumentit për baza është marrë financimi i kërkimeve shkencore dhe inovacionit sipas Ligjit për Veprimtari Kërkimore Shkencore dhe brenda këtij buxheti të paraparë është integruar edhe skema buxhetore e projektuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të MASHTI-t e dedikuar për veprimtari kërkimore shkencore për periudhën kohore 2021-2025.
Në dokument janë listuar edhe gjashtë objektiva, për periudhën 2023-2028.
Zhvillimi i një sistemi efektiv të kërkimit shkencor dhe inovacionit, është objektiv i parë. Prioritet në të është identifikuar zhvillimi i një ambienti të qëndrueshëm dhe përkrahës për kërkime shkencore dhe inovacion në Kosovë, të mbështetur në infrastrukturë ligjore funksionale dhe rritje të kulturës për kërkime shkencore kredibile në institucionet akademike, shkencore dhe ekonomike, përfshirë këtu edhe strategjinë dhe programet për barazi gjinore.
Objektiv i dytë ka në fokus zhvillimin e kapaciteteve njerëzore për veprimtari kërkimore dhe inovacion, si dhe zhvillimin e programeve të doktoratës me përfshirje të të gjitha grupeve.
I treti synon shtimin e ndjeshëm të kapaciteteve të infrastrukturës bashkëkohore që mundëson qasje më konkurruese në programet e Horizon Europe dhe programeve të tjera ndërkombëtare për kërkime shkencore dhe inovacion. Kjo synohet të arrihet me investime substanciale qeveritare si dhe me anë të partneriteteve me institucione komplementare në rajon dhe Evropë.
Nëpërmjet objektivit të katërt synohet ndërkombëtarizimi i veprimtarisë kërkimore-shkencore, që sipas këtij dokumenti mund të realizohet përmes: rrjetëzimit të institucioneve të Kosovës në programet Horizon Europe, COST dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal; programeve të mobilitetit; mbështetjes së projekteve të përbashkëta me institucione shkencore liderë në botë dhe publikimit dhe promovimit të rezultateve shkencore në revista dhe forume shkencore ndërkombëtare.
Objektivi i pestë ka në fokus krijimin e rrjetit të bashkëpunimit midis hulumtuesve shkencorë, industrisë dhe shoqërisë, si dhe krijimin e një fondi të qëndrueshëm financiar që do të përkrahë institucionet kërkimore publike dhe private që dëshmojnë performacë konkurruese me vendet e BE-së.
Ndërkaq, në objektivin e gjashtë është shprehur si synim primar themelimi i Institutit Shtetëror Ndërdisiplinar për Shkencë dhe Teknologji, si dhe themelimi dhe avancimi i qendrave të përsosshmërisë shkencore, performanca e të cilave do të vlerësohej sipas kritereve ndërkombëtare.