Kosova, e gatshme ta dërgojë FSK-në në Kroaci pas tërmetit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, i ofroi mbështetje Kroacisë pas tërmetit të fuqishëm, që goditi këtë vend më 29 dhjetor.
Në një letër dërguar kryeministrit kroat, Andrej Pllenkoviq, Hoti tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme ta ndihmojë Kroacinë, pas tërmetit që la së paku shtatë persona të vdekur.
“Si kryeministër i Kosovës, unë do të doja të ofroja mbështetjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si një forcë e shquar dhe e trajnuar mirë në misionet e kërkim-shpëtimit, e cila është e gatshme t’i ndihmojë qytetarët dhe autoritetet kroate në tejkalimin e pasojave të tërmetit’’, thuhet në letrën që Hoti i dërgoi Pllenkoviqit.
Zyra e Hotit po ashtu njoftoi se ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, kanë biseduar me homologët e tyre kroatë dhe kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar tejkalimin e pasojave të tërmetit.
Hoti ka shprehur besimin se Kroacia do ta kalojë këtë fatkeqësi natyrore sa më trimërisht të jetë e mundur. Ndërsa ka theksuar gatishmërinë e Kosovës për të ofruar ndihmë me të gjitha kapacitetet.
‘’Si vend mik dhe si aleat, Kosova qëndron në solidaritet të plotë me Kroacinë dhe ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka në kapacitetet tona për të lehtësuar vuajtjet dhe për të tejkaluar sa më shpejtë pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore. Populli i Kosovës është këtu për të ndihmuar dhe kjo ndihmë ofrohet me gjithë zemër’’ thuhet në letrën e tij./ REL