Kosova e gatshme ta mposhtë Azerbajxhanin dhe ta shkruajë historinë
Kosova synon ta sigurojë pozitën e parë në grup dhe të kualifikohet më tutje në Ligën e Kombeve. Përveç fitores, edhe barazimi është opsion në të mirë të “Dardanëve”, por trajneri Bernard Challandes dhe mesfushori Valon Berisha kanë paralajmëruar se janë duke menduar vetëm për fitore në ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45.
Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka shprehur optimizëm se “Dardanët” do të shënojnë fitore në ndeshjen e fundit në grupin 3 të Ligës D ndaj Azerbajxhanit. Strategu zviceran e ka lavdëruar ekipin kundërshtar, kurse me këtë rast konfirmoi se nuk do të bëjë ndryshime në formacion. Kosova në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e pret Azerbajxhanin nga ora 20:45. “Në këtë takim na favorizojnë dy rezultate, por mendoj se të dyja skuadrat kanë njësoj shanse për të fituar dhe për ta marrë vendin e parë. Do të jetë një ndeshje tejet interesante ndaj Azerbajxhanit, kurse e kam të qartë në kokën time se kjo ndeshje do të jetë ndeshja e fundit në fazën e grupeve, andaj dëshirojmë të bëjmë paraqitje të mirë. Nuk duhet ta nënvlerësojmë kundërshtarin, pasi shihet favorit i grupit. Kundërshtari ka një përvojë më të madhe në garat ndërkombëtare dhe unë e shoh si favorit, por ne do të përpiqemi të fitojmë. Ata kanë një ecuri të mirë në grup, mirëpo ne ishim një hap përpara. Do ta vazhdoj filozofinë e lojës. Jam i bindur se do të fitojmë ndaj Azerbajxhanit, andaj nuk do të bëj asnjë ndryshim, asnjë taktikë”, ka thënë Challandes.
Trajneri zviceran është pyetur në konferencë për medie se a do të japë dorëheqje nëse Kosova dështon ta sigurojë pozitën e parë. Ai ka bërë me dije se asnjë rezultat nuk do të bëjë që ai t’i braktisë “Dardanët”, sepse në plan të tij është ta vazhdojë punën edhe për një kohë të gjatë. “Nuk mendoj të largohem nga Kosova. Dua ta bëj punën time më të mirë. Gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt, mirëpo unë jam këtu dhe po e shijoj këtë çast. Nëse shikoj punën e bërë, jam i kënaqur me atë, andaj në fund të ditës të gjithë jemi të lumtur”, ka deklaruar Challandes.
Për ndeshjen ndaj Azerbajxhanit foli edhe mesfushori Valon Berisha. Ylli i Lazios ka thënë se Kosova në këtë ndeshje nuk hyn për barazim, por për fitore. “Do të jetë një ndeshje si finale, pasi të dyja skuadrat do ta kërkojnë fitoren. Ne kemi shpenzuar shumë energji me Maltën, pasi fituam 5-0, por skuadra është e gatshme për këtë ndeshje. Të dyja skuadrat do të japin 100 %, por ne kemi një motiv shtesë pasi do t’i kemi tifozët tanë dhe shpresoj ta fitojmë ndeshjen. Nuk mendojmë për barazim”, ka deklaruar Berisha.
“Dardanët” dhurojnë duksa dhe bileta falas
Grupi zyrtar i tifozëve të ekipit përfaqësues të Kosovës, “Dardanët”, do të shpërndajnë falas duksa dhe bileta për tifozët. Tërheqja e duksave dhe e biletave bëhet në orën 18:00 pranë stadiumit “Fadil Vokrri”. “Dardanët’ dhurojnë 40 duksa dhe 40 bileta për gjininë femërore. Të martën do të jetë festë në stadiumin “Fadil Vokrri” pa marrë parasysh rezultatin. Le të na bashkëngjiten sa më shumë tifozë që ta bëjmë festën më madhështore. Ti, bija e Kosovës, eja te stadiumi ‘Fadil Vokrri’ në 18:00 për dhuratat nga tifogrupi ‘Dardanët’”, thuhet në njoftimin e “Dardanëve”.
/Veton ZYMBERI/