Kosova e hapur për projekte në fushën mjedisit dhe ruajtjes së ambientit
Provinca Autonome e Trentos që nga viti 1999 e ka ndihmuar Kosovën në shumë fusha, fillimisht si ndihmë humanitare për të vazhduar edhe me projekte konkrete dhe tani është koha që këtë relacion ta avancojmë.
Kështu ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me delegacionin nga Provinca Autonome e Trentos të Italisë, të kryesuar nga Sara Ferrari, ministre e Provincës për Universitetin dhe Kërkime, për Politikat e Rinisë, Çështjet e Gjinisë, dhe Bashkëpunimit Zhvillimor.
Në këtë takim, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar delegacionin italian për progresin e Kosovës në shumë fusha, duke përfshirë fuqizimin e vazhdueshëm të shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar.
Haradinaj e ka vlerësuar rolin e madh të Italisë, konkretisht të Provincës Autonome të Trentos, për ta ndihmuar vendin dhe se tani ky bashkëpunim duhet të vazhdojë duke u përqendruar veçmas në projekte që i dedikohen mjedisit, fushës kulturore, arsimore dhe agrikulturës.
“Kosova është vend mik i Italisë, një vend që ka shumë të rinj, me shpirt sipërmarrës dhe të gatshëm për të bashkëpunuar. Investimet direkte nga Provinca Autonome e Trentos janë të mirëpritura, veçmas kur ato janë të përqendruara në fushën e mjedisit dhe ruajtjes së ambientit”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se Qeveria e vendit është e hapur për bashkëpunime bilaterale.
Ndërsa, Sara Ferrari, ministre e Provincës për Universitetin dhe Kërkime, për Politikat e Rinisë, Çështjet e Gjinisë, dhe Bashkëpunimit Zhvillimor, pasi ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritje, ka vlerësuar të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkushtimin e vendit të saj për mundësinë e bashkëpunimit në të ardhmen në fushat e identifikuara në interes të ndërsjellë.
Provinca Autonome e Trentos nga viti 1999 ka dhënë kontributin e saj për autoritetet lokale në Kosovë, shoqërinë civile dhe ka realizuar projekte të ndryshme me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Zyrën për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit.
/Epoka e re/