Kosova e humb arbitrazhin me ‘Contour Global’, detyrohet t’ia paguajë mbi 20 milionë euro
Qeveria e Kosovës e ka humbur arbitrazhin ndërkombëtar me kompaninë amerikane Contur Global për mosrespektim të kontratës, thanë të enjten zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Kosova detyrohet tani t’ia paguajë Countur Globalit mbi 20 milionë euro dëmshpërblim, në bazë të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar.
Zyrtarët e Ministrisë thanë se Avokatura Shtetërore dhe përfaqësuesi ligjor i kontraktuar e kanë analizuar vendimin final të arbitrazhit dhe se do të ankohen ndaj tij në gjykatën civile në Mbretërinë e Bashkuar.
Në fund të vitit 2017, Qeveria e Kosovës e pati nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane, Contour Global, për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.
Ky pritej të ishte investimi më i madh i huaj në Kosovë.
Termocentrali “Kosova e Re” ishte paraparë të fillohet të ndërtohej në vitin 2020, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023. Jetëgjatësia e tij ishte llogaritur të ishte 40 vjet.
Por, në mars të vitit 2020, kompania Contour Global kishte njoftuar tërheqjen nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndër mend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por, po ashtu, edhe për arsyeje të ndryshimeve politike që kishin ndodhur në Kosovë.
Asokohe pushtetin në Kosovë e kishte koalicioni qeveritar mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Lëvizja Vetëvendosje ishte shprehur kundër marrëveshjes me ContourGlobal, duke thënë se një projekt i tillë nuk do të mund të realizohej sepse kompania në fjalë mund ta rriste çmimin e faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike.
Ndërsa, Lidhja Demokratike të Kosovës ishte shprehur se do të ndërtonte kapacitete të reja energjetike, por do të refuzonte secilën alternativë investuese që shtrenjton çmimin përfundimtar të energjisë elektrike prej 100 për qind.
Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike./REL