Kosova e interesuar t’i forcojë raportet me Malin e Zi

28 maj 2018 | 12:16

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim ministrin për Transport dhe Çështje Detare të Malit të Zi,  Osman Nurkoviq.

Haradinaj ka vlerësuar raportet e mira bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke thënë që ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në fusha konkrete si infrastruktura, transportin tokësor dhe ajror si dhe në rrugën evropiane.

“Me Republikën e Malit të Zi, kemi ndërtuar raporte të mira fqinjësore, por jemi të interesuar që këto raporte bilaterale të forcohen edhe më shumë në aspektin ekonomik dhe të shkëmbimeve tregtare”, ka thënë Haradinaj.

Në këtë takim është theksuar rëndësia e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Po ashtu, edhe nevoja e një marrëveshje dypalëshe edhe në fushën e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve dhe të mallrave, si dhe në fushën e transportit ajror.

Kryeministri Haradinaj ka theksuar faktin se brenda 3 vitesh në Kosovë do të përfundojnë të gjitha projektet infrastrukturore të rëndësishme, që lidhin fshatrat me qytetet dhe qytetet ndërmjet vete, si dhe projekte të rëndësishme hekurudhore.

Në takim u diskutua edhe për mundësinë e ndërtimit të tunelit që lidhë Pejën me Rozhajën dhe për mundësinë e heqjes së taksave për qytetarët kosovarë që vizitojnë Malin e Zi dhe për projekte të tjera të rëndësishme për të dyja vendet.

Ndërkaq, ministri Nurkoviq ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke vlerësuar se bashkëpunimi ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës do të vazhdojë në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Në takim të pranishëm ishin ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha dhe ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Skender Durmishi.

/Epoka e re/ 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Bernd Riegert Ekspertët e politikës i kishin dhënë qeverisë…