Kosova e ka bërë hapin e madh drejt unitetit për dialogun

03 janar 2019 | 09:58

Lideri i Nismës Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka thënë se 2018-a ka qenë vit i vështirë për shtetin e Kosovës. Megjithatë, ai ka deklaruar se ka pasur fokus të Qeverisë në ekonominë e vendit dhe në krijimin e unitetit politik për proceset madhore.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Limaj ka thënë se Kosova ka arritur ta bëjë hapin e madh drejt unifikimit dhe unitetit për procesin e dialogut.

Sipas tij, kthimi i dialogut në Kuvend është hap drejt unifikimit të faktorit politik të Kosovës për zgjidhjen e problemit me Serbinë.

Shqipe HETEMI

“Epoka e re”: Z. Limaj, sa ka arritur koalicioni qeverisës ta realizojë programin qeveritar dhe ku mendoni se ka pasur përparim e ku ngecje?

Limaj: Që nga fillimi ky koalicion është ballafaquar me disa tema shumë të rëndësishme të së kaluarës, të cilat në një mënyrë apo tjetër e patën bllokuar vendin dhe e patën futur në një ngërç politik. Angazhimi ynë i parë në fillimin e qeverisjes ka qenë që të shkohet në dy drejtime: të kemi fokus më të madh në ekonominë e vendit dhe në largimin e ngërçit të trashëguar nga temat e mëdha si demarkacioni, dialogu dhe përmbushja e kritereve të fundit për vizat. Demarkacioni me Malin e Zi ka përfunduar, po ashtu si asnjëherë më parë ka pasur një interesim të veçantë të kësaj qeverie në ekonomi, e posaçërisht në promovimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Është punuar fuqishëm për krijimin e një ambienti dhe klime më të përshtatshme për biznes dhe në mënyrë të veçantë për stimulimin e prodhimeve vendore, prodhimin vendor industrial dhe bujqësor. Angazhimet dhe masat stimuluese që ka marrë kjo qeveri kanë qenë si asnjëherë më parë në këtë sektor. Te dialogu arritëm që në fund të kemi një delegacion shtetëror, pra ta kthejmë dialogun në Kuvendin e Kosovës. Kthimi i dialogut në Kuvend është një hap i madh drejt unifikimit të faktorit politik të Kosovës për zgjidhjen e kësaj teme të madhe.

“Epoka e re”: Jeni i kënaqur me rolin e Nismës në qeverisje dhe performancën e ministrave të saj?

Limaj: Nisma ka qenë një partnere korrekte me partnerët e koalicionit. Ka investuar shumë në këtë qeveri, në ndërtimin e programit të përbashkët qeveritar dhe në luajtjen e rolit koordinues e konstruktiv brenda koalicionit qeverisës dhe me gjerë. Nisma ka pasur dy role, rolin e partneritetit në mes të koalicionit dhe rolin e partneritetit me opozitën. Fokusin më të madh Nisma e ka pasur në pjesën ku ka marrë përgjegjësinë për qeverisje. Ministritë tona kanë qenë të fokusuara në implementimin e programit të Qeverisë dhe brenda këtij programi kanë qenë edhe pikat e programore të Nismës Socialdemokrate. Natyrisht se kemi trashëguar probleme të shumta, por jam jashtëzakonisht i kënaqur me punën që kanë bërë ministrat tanë. Ata kanë qenë shumë të angazhuar, të përkushtuar dhe kanë pasur sjellje korrekte e të hapur. Shpresoj se në vitin e ardhshëm kjo energji pozitive do të rritet. Është e rëndësishme se kështu ministrat janë vlerësuar edhe nga qytetarët. Është vlerësuar angazhimi i Nismës edhe në rolin politik sa i përket koordinimit dhe konstruktivitetit, por edhe në ekzekutiv.

“Epoka e re”: Duke pas parasysh dështimin e liberalizimit të vizave, mosanëtarësimin në Interpol, numrin e vogël të njohjeve si dhe tërheqjen e disa njohjeve, a pajtoheni me konstatimin se ky vit nuk ka qenë i mirë për Kosovën?

Limaj: Përjashtuar këtë çështjen e vizave, është ashtu siç po thoni ju, sepse ka qenë një vit goxha i vështirë në këto tema. Fatkeqësisht, nuk arritëm të anëtarësohemi në Interpol për shkak të disa shteteve te të cilat diplomacia serbe ka qenë shumë agresive, prandaj nuk kemi arritur aty ku duhet të jemi. Sa i përket liberalizimit të vizave, besoj se qeveria e ka kryer punën e saj, këtë e argumenton edhe rekomandimi i Komisionit Evropian i cili i ka rekomanduar Këshillit të Ministrave të BE-së heqjen e vizave, pastaj ajo temë ka mbetur çështje e shteteve veç e veç. Shteti i Kosovës e ka kryer punën e vet. Mosrealizimi i liberalizimit të vizave ka ndodhur për shkak të hezitimit të shteteve veç e veç dhe disa prej tyre i kanë bërë publike hezitimet e disa jo, por arsyet dihen pak a shumë.

“Epoka e re”: Z. Limaj, tashmë ju është besuar udhëheqja e ekipit negociator me Serbinë. Sa do të jetë sfidues ky rrugëtim kur kemi parasysh ndasitë që ekzistojnë në Kosovë si dhe reagimet e palës serbe, përkatësisht deklarimin e presidentit serb se nuk do të pranojë të takohet fare me ju?

Limaj: Pas këmbënguljes sime të vazhdueshme që të kemi një format tjetër të bisedimeve, pas propozimit nga Qeveria dhe kërkesës sime që të shkohet drejt Kuvendit për t’iu dhënë mundësia edhe opozitës, me kënaqësi them se kemi arritur një sukses të madh në këtë drejtim. Kemi arritur të nxjerrim një delegacion shtetëror të votuar në Kuvend, të mbështetur dhe me pjesëmarrje aktive të një grupi opozitar siç është PSD-ja. Përfundimisht, Kosova e ka një adresë të votuar nga Kuvendi, një delegacion shtetëror si bërthamë e unitetit të domosdoshëm. Shpresoj që rrugës do të bashkohen edhe forcat e tjera politike dhe tani jemi në një situatë krejt tjetër në raport me dialogun. Delegacioni i Kosovës do të fokusohet në dialogun me Serbinë dhe ideja dhe qëllimi i këtij delegacioni është unifikimi i qëndrimit të Kosovës për këtë proces, koordinimi i institucioneve me delegacionin si dhe urat e komunikimit me opozitën. Ky delegacion do t’i raportojë Kuvendit duke garantuar transparencën e përgjegjësinë dhe, në anën tjetër, delegacioni përmes platformës së paralajmëruar do të bëjë përpjekje ta ketë qëndrimin unik të të gjitha institucioneve që në të kaluarën ka pasur dallime. Na pret një punë shumë e madhe, por besoj se Kosova me krijimin e ekipit negociator u ka dërguar një mesazh të qartë, para së gjithash partnerëve tanë, se jemi të përkushtuar për dialog sepse, fatkeqësisht, në të kaluarën ka pasur hezitime rreth asaj nëse Kosova është vërtetë e gatshme për dialog. Tanimë është e qartë: Kosova është e gatshme për dialog, e ka delegacionin dhe do t’i futet seriozisht kësaj teme. Kemi gjetur mbështetje nga të gjitha shtetet partnere për qasjen tonë dhe po përgatitemi për t’iu futur fazës finale të dialogut. Presim një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, detyruese dhe që epilog ka njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia, anëtarësimin e Kosovës në OKB, njohjen e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së dhe integrimin evropian. Me këto orientime dhe qëllime ecim drejt fazës finale të dialogut. Kurse sa iu përket deklarimeve të zyrtarëve serbë, as nuk mund t’ia përcaktojmë ne Serbisë se kënd e ka në delegacion dhe as Serbia nuk mund të na përcaktojë neve se kush e përfaqëson vendin tonë. Është populli ai që i zgjedh përfaqësuesit e vet. Tani duhet të fokusohemi si ta arrijmë marrëveshjen e cila përfundimisht përmbyll konfliktin apo çështjet e hapura me Serbinë. Jemi të fokusuar në këtë drejtim, t’i përmbyllim njëherë e mirë temat e hapura me Serbinë, jemi të fokusuar për garantimin e paqes në rajon dhe për fillimin e një rrugëtimi të mirëfilltë drejt integrimeve evropiane duke respektuar interesat e të dy vendeve.

“Epoka e re”: Duke i pasur parasysh zhvillimet e fundit, përkatësisht përfshirjen e PSD-së në dialog, jeni optimist se Kosova do të mund të krijojë një zë unik karshi Serbisë? Dhe ju, si udhëheqës i ekipit, çfarë do të bëni për ta bindur opozitën të përfshihet në proces?

Limaj: Kosova e ka bërë hapin e madh drejt unifikimit dhe unitetit për dialogun. Votimi i ekipit negociator nga Kuvendi është hap i madh dhe do të angazhohemi për ta zgjeruar konsensusin dhe ekipin. Qëndrimi i grupeve të tjera opozitare nuk duhet të na ndalojë dhe të na heqë nga obligimi që vazhdimisht t’i informojmë grupet opozitare për krejt ecurinë e dialogut. Shpresoj se në rrugë e sipër me sjelljen tonë do të mbjellim besim, seriozitet dhe korrektësi të cilat kanë munguar në të kaluarën. Nuk është e rastësishme kjo që po ndodh sot sepse ka qenë i vështirë formimi i delegacionit për faktin se kemi trashëguar një lloj mosbesimi në këtë proces. Mirëpo sjellja jonë korrekte, transparente dhe e përgjegjshme besoj se mjaftueshëm do të japë mundësi dhe do të krijojë klimë që edhe grupet e tjera të bashkohen në mënyrë që një marrëveshje e cila mund të vijë në Bruksel të jetë e pranueshme. Duhet të arrijmë marrëveshje e cila do të pranohet gjerësisht nga qytetarët e Kosovës dhe nga Kuvendi.

“Epoka e re”: Më 8 janar do ta mbani takimin e parë në Bruksel, mund të na tregoni se cili është qëllimi i këtij takimi dhe për çfarë temash do të diskutoni?

Limaj: Në dhjetëditëshin e parë të janarit presim që të udhëtojmë për Bruksel. Takimi është për ta njoftuar Brukselin me delegacionin si dhe për ta treguar përkushtimin, vendosmërinë dhe seriozitetin tonë për dialog. Aty do t’i paraqesim idetë se si e shohim platformën e dialogut, por presim edhe nga Brukseli që t’i paraqesë veta se si e sheh pjesën finale të dialogut në mes të dy vendeve.

“Epoka e re”: Z. Limaj, a besoni se Kosova gati pas dy dekadave të përfundimit të luftës do të mund ta arrijë marrëveshjen me Serbinë?

Limaj: Besoj se edhe në Kosovë edhe në Serbi janë shtuar zërat dhe e kanë kuptuar se një marrëveshje në mes të këtyre dy vendeve është e pashmangshme dhe është në interes të dy popujve për të ecur përpara. A do të arrihet marrëveshja në vitin 2019 apo jo varet nga shumë faktorë. Por, një gjë e di sigurt, se ajo marrëveshje do të ndodhë. Më mirë të ndodhë sa më shpejt për të dyja vendet e të humbim më pak sesa të vonohet dhe të kemi dëme më të mëdha për të dy popujt. Është në interesin e të dy vendeve tona që sa më shpejt të arrihet marrëveshja dhe të përmbyllim njëherë e mirë të kaluarën tonë tragjike dhe t’i identifikojmë interesat për rrugëtimin tonë të përbashkët drejt integrimeve euroatlantike.

“Epoka e re”: Si drejtues i ekipit negociator a mund t’i siguroni qytetarët e Kosovës se pavarësia dhe integriteti i Kosovës do të jenë të paprekshëm edhe pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje?

Limaj: I sigurojmë qytetarët e Kosovës se ekipi negociator do të punojë fort për një marrëveshje me vlera evropiane, një marrëveshje e cila përmbyll konfliktet dhe nuk lënë asnjë shkak për konflikte të ardhshme. Duam një marrëveshje e cila krijon paqe dhe jo një marrëveshje e cila mund të lë situata që mund të kthehen në konflikte. Prandaj Kosova është kundër ndarjes dhe çfarëdo pushteti të tretë. Jemi kundër ndarjes së vendit tonë, po punojmë me Kushtetutën e Kosovës, Deklaratën e Pavarësisë dhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Epoka e re”: Në opinion është përfolur se marrëveshja finale do të parasheh një Ahtisari +, autonomi për veriun, madje edhe ndarje të komunave veriore.

Limaj: E thashë atë që duhet thënë. Delegacioni i Kosovës nuk mund të lejojë pushtet të tretë apo një lloj ‘republika serbe’ sepse kjo do të thotë çmontim i shtetit të Kosovës.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester United ka arritur fitoren e katërt radhazi. Largimi i…