Kosova e kënaqur me bashkëpunimin dhe koordinimin me KFOR-in
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka pritur sot në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’Addario, me të cilin ka biseduar për angazhimet në kapacitetin e Koordinatorit Nacional për Integrim dhe anëtarësim në NATO.
Ramadani përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Kosova ka synim shtetëror anëtarësimin në NATO dhe e kupton rrugën në këtë proces.
“Duke qëndruar në planifikimet afatgjata dhe graduale për zhvillimin dhe modernizimin e sektorit të sigurisë sipas standardeve demokratike, institucionet e Kosovës janë të përkushtuara në transparencë, bashkëpunim dhe angazhim me partnerët ndërkombëtarë. Ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin dhe koordinimin që kemi tash e 20 vjet me misionin e KFOR-it në Kosovë. Kosova është e përkushtuar për paqe, siguri, stabilitet dhe bashkëpunim me të gjithë”, ka shkruar Ramadani.
/Epoka e re/